Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 14:04

Prishtinë- Rreziku kryesor për Kosovën, pas strukturave ilegale në veri, i cili mund ta cenojë vendin është ekstremizmi politik fetar. Kështu shkruan në një dokument të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili ditë më parë i është prezantuar edhe Komisionit për Punë të Jashtme pranë Kuvendit të Kosovës nga vetë ministri Enver Hoxhaj.

Në dokumentin të cilin e posedon gazeta “Zëri”, i emëruar: “Sfidat e Sigurisë dhe Rreziqet”, radhiten shqetësimet për problemet me të cilat mund të ballafaqohet Kosova në të ardhmen.

Sipas kësaj letre, nuk ka perspektivë për ekstremizmin politik ose fetar në Kosovë që të ketë sukses, pa ndihmën nga jashtë kufijtë e vendit. “Ne kërkojmë që të mbajë marrëdhënie të mira me autoritetet që zbatojnë ligjin me fqinjët tanë të parë dhe me vendet e tjera të brengosura për mundësinë e ekstremizmit politik ose fetar”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.

Detaje të kësaj strategjie, ministri i Punëve të Jashtme i ka paraqitur edhe të mërkurën e javës së kaluar në raportimin e tij para Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë që zyrtarët e kësaj Ministrie bëjnë të ditur se nuk ka pasur asnjë reagim nga ky komision sa i përket këtij dokumenti.

Këshilltari i ministrit Hoxhaj ka konfirmuar që kjo temë është përmendur në raportimin e fundit që ka pasur ministri tek Komisioni për Punë të Jashtme, mirëpo, sipas tij, asnjë pyetje për tri orë rresht sa ka zgjatur raportimi nuk është parashtruar përkitazi me këtë çështje që MPJ e vlerëson mjaftë të ndjeshme.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer me mosreagimin e kryetarit dhe anëtarëve të komisionit ndaj kësaj teme kaq përcaktuese për shtetin dhe politikën e jashtme të Kosovës”, ka thënë Artan Behrami nga MPJ. Sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, kryesuesi i komisionit, Albin Kurti, gjatë tërë kohës është marrë me një gomë të shqyer të veturës së Ambasadës së Kosovës në Bullgari.

“Këtu shihet se z. Kurti nuk e ka shumë shqetësim për ekstremizmin fetar në rritje. Ai më shumë është përkujdesur që Komisionin për Politikë të Jashtme ta shndërrojë në komision për politika partiake”, ka thënë Behrami.