Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 15:46

Prishtinë – Më 20 maj të këtij viti, Sekretari Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Ilir Tolaj, i shkruan Kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes Van Vreesëijk dhe Zv/kryeprokurores së EULEX-it, Unda Heaton, për një shkelje tjetër në këtë dikaster shumë të përfolur të qeverisjes së Kosovës. Portali LajmeShqip.com publikon dokumentet në denoncimin e radhës të Ilir Tolajt, që ka qenë Klinika e Kardiokirurgjisë, në tenderin për ndërtimin e së cilës ai akuzon për shëprdorime zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe operatorin ekonomik Patria Group.

Sipas dokumenteve të tij, të adresuara në Prokurorinë e EULEX-it, ky repart i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që filloi të ndërtohej qysh në vitin 2008, nuk është pranuar teknikisht as sot, vetëm për shkak të, siç vlerëson ai, shkeljeve të rregullave dhe të procedurave nga të dyja palët, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ata të operatorit Patria Group.

Duke e kontestuar tërë nismën e këtij projekti, ai e akuzon edhe kompaninë projektuese Project Plus, duke iu referuar vërejtjeve të organit mbkëqyrës të punimeve, i cili, siç thuhet në dokument, ka evidentuar shkelje dhe lëshime të mëdha.

Sipas letrave të Tolajt, është kontestuese dhe me shkelje të vazhdueshme edhe vetë mënyra e proceduar me tenderin, në të cilin kanë konkuruar tri kompani “P&1”, “Çlirimi” dhe “Patria Group”, nga të cilat, ai konstaton se kjo e fundit, me shkelje porceduarash dhe “gabime aritmetikore”, arrin në fund të dalë fituese e tenderit për ndërtimin e Klinikës së Kardiologjisë.

Duke konstatuar shkeljet e vazhdueshme në këtë projekt, Tolaj akuzon drejtpërdrejt zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, Pashk Buzhala e Agron Boshnjaku, të cilët, sipas tij, si menaxherë të projektit kanë qenë më shumë të preokupuar të nxjerrin sa më tepër para për punëkryesin “Patria Group” dhe të thirren në punë dhe nevoja shtesë të projektit, se sa që të vlerësojnë dhe monitorojnë shpejtësinë dhe cilësinë e punës në të.

Duke i numëruar dhe renditur që të gjitha këto të dhëna, në fund, Ilir Tolaj, nga pozicioni i Sekretarit Permanent të MSH-së, konstaton se në gjithë këtë projekt ka pasur shkelje dhe parregullsi të shumta, të cilat zyrtarët e MSH-së i ngarkojnë me vepra të caktuara penale, konform Kodit Penal të Kosovës.

Ai fton që Prokuroria menjëherë të nis me procedurat hetimore ndaj të gjithë të të apostrofuarve në keqpërdorimet e vazhdueshme, në projektin ende të papranuar teknikisht të Klinikës së Kardiokurgjisë. (LajmeShqip.com)