Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 17:15

Mitrovicë – 30 ditë paraburgimi për 13 shoferët e kamionëve të kompanisë Euro-Kop nuk janë ndarë rastësisht. Burime të Portalit LajmeShqip.com, brenda hetuesve ndërkombëtarë, bëjnë të ditur se kjo histori është më e thellë se një thyerje e kufirit.

Në hetime rreth kamionëve të kompanisë Euro-Kop, nga Rashka, tanimë është kyçur edhe policia ndërkombëtare, Interpol, kanë njoftuar burime të Portalit LajmeShqip.com.

Burimet gjithashtu bëjnë të ditur se në dokumentacionin e këtyre 20 kamionëve ka shumë pasaktësi, që nga regjistrimi e deri te kontrolli teknik dhe pronësia. Sipas burimeve, kompania Euro-Kop këta komionë i ka marrur në lizing (lloj kredie) nga Raiffaisen Bank, me seli në Novi Sad, dhe për ta deri më tani nuk është paguar asnjë cent, ndërkohë që banka është duke i kërkuar të hollat.


Kamionët e kompanisë Euro-Kop duke kaluar nga Veriu në Jug të Mitrovicës që mabnë targat e Novi Sad (NS 116 ..)  (Foto: LajmeShqip.com – 20.09.2011)

Policia e Kosovës, me sektorët e Krimeve Ekonomike, Autokrimeve, të Krimeve Serioze dhe hetuesit e Policisë Kufitare, është duke i ndjekur hetimet në fusha të ndryshme, për të sqaruar të gjitha dyshimet e mundshme të këtyre kamionëve, që nga dokumentacioni i transportit të koncentratit të xeheve, dokumentacioni i qarkullimit të kamionëve, pronësia dhe përfshirja e tyre e mundshme në vënien e barrikadave në rrugë, në veri të Kosovës.

Sipas burimit, më 15 shtator, në një vend kontrolli teknik në Beograd, është kryer kontrollimi teknik i tyre, ndërsa kamionët e Euro-Kopit ka muaj që janë në Kosovë, edhe pse kufiri me Kosovën dhe Serbinë në Bërnjakë dhe Jarinjë, është mbyllur më 25 korrik. Se dokumentacionet e kamionëve të Euro-Kop janë të falsifikuara, flet edhe fakti se ata kanë pasur targa KV, të qytetit Kralevë të Serbisë, ndërsa tani kanë targa të Novi Sadit, NS. Ndërrimi i targave nga KV në NS është bërë për shkak se këta kamionë, sipas burimeve, janë të kapos së krimit të veriut të Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dhe se kanë marrë pjesë në vendosjen e barikadave në veri të Kosovës që nga 25 korriku, kur Policia e Kosovës ka tentuar të marrë kontrollin në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë.

Po të mos ishin pronë e Zvonko Veselinoviqit, kamionët e Euro-Kop-it strukturat paralele dhe kriminale serbe, që veprojnë në veri të Kosovës, nuk do t’i kishin lejuar ata që nga veriu të udhëtonin në jug të Mitrovicës dhe Mal të Zi. Këta janë pikërisht kamionët e Zvonko Veselinoviqit, i cili kohë më parë ia ka grabitur në formë reketi pronarit të firmës Euro-Kop, nga Rashka, Mile Gjurashkoviqit dhe Gago çurçiqit. Po këto burime kanë theksuar se hise në këta kamion ka edhe Gorica Gajeviq, ish-zv/kryetar e partisë JUL, që udhëhiqej nga gruaja e diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq, Mira Markoviq.

Burimet më tej kanë shtuar se kamionët e Euro-Kop-it, për një kohë të gjatë do të mbesin në terminalin doganorë në jug të Mitrovicës, deri sa të kryehen të gjitha verifikimet.

Në anën tjetër, 13 ngasësve të tyre, Gjykata Komunale e Mitrovicës ua ka shqiptuar nga 30 ditë paraburgim, për shkak të hyrjes ilegale në Kosovë.

Portali LajmeShqip.com kishte raportuar i pari se si kamionët e Zvonko Veselinoviqit, kapos së krimit për veriun e Kosovës, nën përcjellje të Policisë së Kosovës, nga veriu i Mitrovicës kanë kaluar në jug dhe se këta kamionë, që kishin marrë pjesë në bllokimin e rrugëve në veri dhe në bartjen e zhavorrit, janë të kompanisë Euro-Kop, nga Rashka e Serbisë, kurse mbanin targa të Novi Sadit.

Gjithashtu, portali kishte raportuar edhe për detajet tjera të kësaj historie dhe se si Zvonko Veselinoviq i kishte marrë këta kamionë shkaku i fajdeve prej pronarit të firmës Euro-Kop. (LajmeShqip.com)