Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 09:03

Prishtinë -Zvonko Veselinoviq nuk udhëheqë vetëm bandat e krimit serb në veri të Kosovës. Ai është partner i mirë edhe i kompanisë më profitabile publike të Republikës së Kosovës, Postës dhe Telekomit. Portali LajmeShqip.com publikon ekskluzivisht dy kontratat të PTK-së për vendosjen e antenave në veri të Kosovës. Se si funksionin rrjeta e krimit të organizuar në shtetin më të ri në botë, dëshmojnë edhe faktet në vijim, të cilat, të zezë mbi të bardhë, i sjellë portali LajmeShqip.com.

I shumëkërkuari nga Policia e Kosovës, Zvonko veselinoviq, ka qenë këmbëkryq në mes të Prishtinës, për të nënshkruar një kontratë me kompaninë, aksionare e së cilës është edhe Qeveria e Kosovës, PTK-në. Ai ka një kontratë me këtë gjigant ekonomik t vendit, nga e cila fiton para të majme. Është spekuluar se kontrata është e nënshkruar nga bashkëshortja e tij, Liljana Bozhoviq, por faktet flasin ndryshe. Burime të konfirmuara mirë të Portalit LajmeShqip.com, kanë mësuar se nënshkrimi i kontratës është bërë personalisht nga Zvonko Veselinoviq, dhe jo nga Ljiljana Bozhoviq, gruaja e Zvonkos, siç është në kontratë. Këtë e vërteton edhe fakti se në kontratë nuk ka nënshkruar personalisht Ljiljana, por është nënshkruar “FOR”, për Ljiljanën.

Portali e ka verifikuar burimin dhe e ka rikonfirmuar se Zvonko Veselinoviq ka qenë personalisht në PTK dhe e ka nënshkruar kontratën dhe anekskontratën. Kontratës i mungon autorizimi që i jep të drejtë Zvonkos të nënshkruajë në emër dhe për Ljiljana Bozoviqin.

Kontrata i siguron Zvonkos 1.000 euro për muaj nga Posta dhe Telekomi i Kosovës, të cilat i paguhen në xhirollogarinë e gruas 1160-642610-000121,nëProCredit Bank.

Zvonko Veselinoviq, i cili tashmë e ka fituar edhe epitetin si kapoja kriminale i veriut të Kosovës është bërë garantues për antenat e kompanisë telefonike mobile Vala në Mitrovicë. Në këmbim të sigurisë së një antene, ai e merr këtë shumë parash nga kompania publike, aksionare e së cilës është Qeveria e Kosovës.

Kjo ndërmarrje publike, që këto ditë dështoi për herë të dytë që të privatizohet, pas tërheqjes së Harvatski Telekomit, me arsyetimin se zyrtarët e lartë të saj akuzohen për korrupsion, në një periudhë i kishte paguar Zvnoko Veselinoviqit haraç, e më vonë këtë pagesë e kishte zyrtarizuar me një kontratë të cilën e ka siguruar dhe e sjellë ekskluzivisht portali LajmeShqip.com.

PTK-ja, për antenën e vendosur në veri të Mitrovicës ka paguar dy muaj pa letra, ndërsa paratë i kanë shkuar në konton e saj në ProCredit Bank, Liljana Bozhoviqit, gruas së kapos së krimit në veri, Zvonko Veselinoviq.

Për t’i legjitimuar këto pagesa, në këmbim të sigurisë së antenës, dy muaj më vonë, ish-drejtori i Postë-Telekomit të Kosovës, Etrur Rrustemaj, e ka vënë firmën e tij bashkë me drejtorin e prokurimeve, Fatmir Gjonbalaj, në një marrëveshje në letër me Liljana Bozhoviq.

Vendi i vetëm ku PTK-ja do të mund të vendoste BTS-at, sipas burimeve të portalit, ishte një banesë private në katin e pestë të një ndërtese kolektive, në rrugën “Kralj Peter I”, në pjesën veriore të Mitrovicës.

Zvonko Veselinoviq, që udhëheqë me biznese mafioze në veriun e Kosovës, sipas burimeve të portalit, para katër vitesh ka qenë personalisht në zyrën qendrore të PTK-së, për të negociuar dhe nënshkruar kontratën me PTK-në.

Mirëpo, brenda vetë kontratës së nënshkruar mes palëve, përpos që ka mospërputhje datash, ka edhe një element të dyshimt, që është nënshkrimi i kontratës.

Në kontratë shkruan decidivisht se marrëveshja starton më 1 qershor të vitit 2007 dhe ka validitet për dy vjet, deri më 1 qershor të vitit 2009, ndërsa nënshkrimi i Etrur Rrustemajt, në po këtë marrëveshje, figuron të jetë i datës 7 gusht të vitit 2007, dy muaj më vonë. Kurse, Fatmir Gjonbalaj, shef i Prokurimit të PTK-së, figuron të ketë nënshkruar më 6 gusht të atij viti, ndërsa tek nënshkrimi i Bozhoviqit nuk figuron data fare.

Përmes kësaj marrëveshjeje, PTK-ja obligohet t’ia paguajë zyrtarisht gruas së kapos së krimit të veriut një shumë prej 1.000 eurosh, 350 euro në emër të qirasë për lirimin e hapësirës për pajisjet telekomunikuese të kësaj ndërmarrjeje publike, dhe 650 euro në emër të shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të pajisjeve telekomunikuese.

Derisa ky serb ka udhëhequr grupet kriminale për bllokimin e rrugëve në veri dhe për djegien e pikave kufitare më 26 korrik të këtij viti, ai në ndërkohë vazhdon të marrë para nga Qeveria e Kosovës, nëpërmjet PTK-së. Në këtë mënyrë, qeveria e bën Zvonko Veselinoviqin garantues të funksionimit të antenës në atë pjesë të Kosovës, që më së paku kontrollohet nga autoritetet kosovare.

Pavarësisht se Etrur Rrustemi nuk është më drejtor, kontrata nuk është shkëputur as nga pasardhësit e tij në krye të Postës dhe Telekomit të Kosovës. (LajmeShqip.com)

 

 

 

Anekskontrata

 

 AKontrata me majorin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Dushan Ivanoviq