Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 09:00

Tiranë -Akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre janë pjesë normale e luftës politike në Shqipëri, kur vijnë nga politikanë që i përkasin poleve të kundërta politike. Por akuzat për korrupsion në Shqipëri kanë arritur deri aty sa vendosin përballë dy ministra të së njëjtës qeveri, që i përkasin të njëjtës parti, madje janë dy ndër eksponentët kryesorë të Partisë Demokratike, Genc Pollo dhe Sokol Olldashi.

Portali LajmeShqip.com zbulon një dokument të Ministrit të Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, ku akuzohet hapur homologu i tij i Punëve Publike, ministri Sokol Olldashi se ka dhënë një leje të jashtëligjshme që dëmton konkurencën në tregun e telekomunikacioneve. Dokumenti i drejtohet Komisionit të Prokurimeve Publike, për ta njoftuar për mbylljen e tenderit për Rrjetin Kombëtar Brezgjerë (REKAB). Një nga argumentet kryesore lidhet me faktin që ofertuesi i vetëm në tender është një kompani që i takon të njëjtit pronar me shoqërinë Albanian Telecommunications Union (ATU). ATU është shoqëria që ka marrë nga Ministri i Punëve Publike, me të drejta ekskluzive lejen për të shtruar një rrjet fibrash optike në të gjitha rrugët kombëtare.

Leja ekskluzive shkel ligjin dhe dëmton konkurrencën

Sipas ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, dhënia e lejes pa garë bie në kundërshtim flagrant me legjislacionin në fuqi dhe me praktikat e mira. Olldashi jo vetëm që nuk ka zhvilluar asnjë garë, por e ka kryer të gjithë procesin pa njoftime apo konsultime paraprake, e thënë ndryshe në fshehtësi të plotë. Leja ekskluzive për ATU shkel të drejtat e sipërmarrësve të tjerë, sepse i përjashton ata nga e drejta e përdorimit të pronës publike, e drejtë që u njihet në bazë të Kodit Civil dhe ligjit “Për Komunikimet elektronike”, që në nenin 93 përcakton se çdo sipërmarrës ka të drejtën e përdorimit të pronës publike për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike.

Duke mos pasur të drejtë të shtrojnë rrjet fibrash optike, operatorët e tjerë detyrohen të marrin shërbim ose te Albtelecom ose te ATU, çka përbën një situatë duopoli në treg dhe përkthehet në çmime të larta për publikun. MITIK pretendon se dhënia e lejes ekskluzive nga Olldashi ka mbajtur larg garës për Rrjetin Kombëtar Brezgjerë kompani serioze ndërkombëtare, si CISCO, Alcatel dhe Lucent që kanë shprehur ankesat e tyre për këtë problem. Ndërtimi i rrjeteve kabllore të telekomunikacioneve është ligjërisht i liberalizuar që nga viti 1998 dhe parimi i liberalizimit është i përcaktuar shprehimisht në ligjin e “Për Komunikimet Elektronike”.

Përmes lejes së dhënë kompanisë ATU, Olldashi njëkohësisht ka revokuar të gjitha lejet e mëparshme që ju ishin dhënë shoqërive të tjera për shtrimin e rrjeteve në rrugët kombëtare. Kohëzgjatja prej 40 vjetësh e përcaktuar në lejen e ATU-së, sipas MITIK është përtej të gjitha përcaktimeve ligjore. Në leje kjo është justifikuar me investimin prej rreth 40 milionë eurosh që do të kryejë shoqëria ATU. Por Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit ka përmendur shembujt e licencave GSM apo 3G, që janë dhënë për një kohëzgjatje 15 vjeçare, ndërkohë që shuma e investimit ka qënë shumë më e lartë se 40 milionë euro. Një tjetër problem me lejen e dhënë për ATU është se ajo përmban vetëm 6 linja, çka nuk merr parasysh perspektivat e zhvillimit, duke qënë se në të gjithë vendin operojnë rreth 200 operatorë të komunikimeve elektronike.

Për më tepër, MPPT me këtë leje ka shkelur në mënyrë flagrante kompetencat e institucioneve të tjera. Kështu urdhri i Olldashit përcakton se ATU duhet të lërë katër linja të lira për operatorët e tjerë, duke marrë në këtë pikë një atribut që i takon Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Në praktikë, ATU jo vetëm që ka një fuqi dominuese, por edhe të drejtën për t’i refuzuar aksesin operatorëve të interesuar, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo duke ofruar tarifa të larta apo duke vendosur barriera të tjera, në formë kushtesh të papranueshme. Dhënia e lejes ekskluzive për ATU është gjithashtu në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit me Bashkimin Europian, që kërkon implementimin e plotë të acquis communautaire në komunikimet elektronike duke filluar që nga Prilli i vitit 2010. Dhënia e të drejtës ekskluzive pa garë, për më tepër me një procedurë jo transparente, shkel njërën prej Direktivave kuadër të komunikimeve elektronike.

Të gjitha institucionet kundër lejes për ATU

Por akuzat ndaj ministrit Olldashi për shkelje flagrante të ligjit nuk vijnë vetëm nga homologu i tij Pollo, por praktikisht nga të gjitha institucionet e lidhura. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në qëndrimin zyrtar për këtë çështje shprehet se “termat e ekskluzivitetit në lejen e dhënë përbëjnë pengesë për arritjen e objektivave rregullatore lidhur me nxitjen dhe realizimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në fushën e komunikimeve elektronike. Autoriteti i Konkurrencës për çështjen në fjalë është shprehur se Ministria e Punëve Publike nuk ka respektuar detyrimin ligjor për të kërkuar mendimin e Autoritetit të Konkurrencës. Ky institucion gjykon se “analiza për kufizimet e konkurrencës nga dhënia e ekskluzivitetit, për rastin në fjalë, mund të lidhet me kufizimin e mundshëm të zhvillimit teknologjik në tregun përkatës si dhe kërkon paraprakisht vlerësimin e autoriteteve të specializuara në fushën e komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

Shumica e shkeljeve të mësipërme konstatohen edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, që është shprehur se dhënia e të drejtave ekskluzive duhet të rishikohet dhe në çdo rast, leja administrative duhet të jepet në bashkëpunim me MITIK dhe në konsultim me institucionet e tjera të lidhura.

Leja e Olldashit çoi në dështimin e tenderit për REKAB

Leja ekskluzive për ATU u bë edhe shkaku kryesor i dështimit të tenderit për rrjetin kombëtar brezëgjerë (REKAB). Ministri i Teknologjisë së Informacionit shpalli tenderin për rrjetin kombëtar broadband, duke përjashtuar nga e drejta e pjesëmarrjes shoqërinë ATU. Por pronari i ATU e shmangu pengesën duke hyrë në tender me një shoqëri tjetër në pronësi të tij, firmën e ndërtimit “Gener 2”, por për të plotësuar kriteret teknike, pjesëmarrja u bë edhe në bashkëpunim me një kompani tjetër, “ECI Telecom”. Në këto kushte, megjithëse Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk e kishte skualifikuar konsorciumin “Gener 2 & ECI Telecom”, Pollo vendosi ta anullojë tenderin, me argumentin kryesor se përfitimi i tenderit nga shoqëria e Bashkim Ulajt do të krijonte një situatë monopol. Tashmë çështja ka ngelur pezull dhe nuk është e qartë çfarë do të ndodhë me projektin e REKAB.  (LajmeShqip.com)