Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 15:38

Prishtinë – Një mal me konfuzione rreth njohjes së Kosovës nga Guinea-Bissau dhe mosnjohjes nga Sulltanati i Omanit.

Në të vërtetë, në dokumentin e datës 10 janar të këtij viti, që e publikon ekskluzivisht Portali Lajmeshqip.com, Republika e Guinea-Bissaut ka bërë dy njohje, me të njëjtën letër. Ajo e ka njohur Kosovën shtet dhe Behgjet Pacollin president, disa ditë më parë se sa ai të zgjidhet në Parlamentin e Kosovës. Së paku kështu i referohet në letër-kredencialen.

Por, këto ditë diplomacia serbe s’e ka thënë të vërtetën sa i takon njohjes së pavaërsisë së Kosovës që i ka bërë Republika e Guinea-Bissaut. Mediat beogradase kanë cituar kryediplomatin serb, Vuk Jeremiq, të ketë deklaruar se homologu i tij nga ky vend i ka thënë të mos ketë vendim për njohje. Sipas tij, në Guinea-Bissau ka pasur një iniciativë për të vënë marrëdhënie diplomatike, por atë e kishin bllokuar disa deputetë.

Portali LajmeShqip.com ka siguruar kredencialet e konfirmimit të njohjes të cilat i boton ekskluzivisht. Dokumenti mbanë datën e 10 janarit dhe është firmosur nga presidenti i këtij shteti, Malam Bacai Sanha.

“Presidenti i Republikës së Guinea-Bissau, ekselenca e tij, z. Malam Bacai Sanha, dërgoi komplimentet e tij për Qeverinë e Kosovës dhe bën me dije që autoritetet e Republikës së Guinea-Bissau njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës Kosovës, duke shprehur dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në kredencialin e shkruar në frengjisht.

Po në këtë dokument shkruan se “Qeveria e Republikës së Bissau falënderon z. Behgjet Pacolli për përpjekjen për të vendosur marrëdhëniet miqësore midis dy kombeve tona”.

Kredencialet i ishin dërguar Behgjet Pacollit, që në këtë kohë prej posteve publike kishte vetëm atë të deputetit dhe drejtonte AKR-në, subjekt i vogël politik që ishte në opozitë. Por, presidenti i Guinea-Bissaut i ishte referuar Pacollit si “President i Kosovës”.

Një muaj e gjysmë më vonë Pacolli bëhet president i Kosovës, por postin e ka ushtruar vetëm një muaj e gjysmë pasi Gjykata Kushtetuese e kontestoi mënyrën e zgjedhjes së tij.

Ndërkaq, diplomacia serbe dhe ajo kosovare nuk e kanë thënë të vërtetën asnjëra për lajmin e gjashtë muajve më parë që Kosova është njohur nga Sulltanati i Omanit.

Ky shtet as nuk ka marrë vendim për njohje, e si rrjedhojë nuk ka pasur një vendim për zhvlerësim të njohjes. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka thënë një ditë më parë se ka arritur ta bindë Omanin për ta ndryshuar vendimin për pranimin e shtetësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, kur kishte njoftuar më 4 shkurt të këtij viti se Omani e kishte njohur pavarësinë, kishte thënë se ky shtet nuk i njeh në mënyrë eksplicite shtetet, por vë kontakte diplomatike me to. Tash, kur doli se nuk kishte vendim, dhe emri i Omanit ishte listuar nga MPJ-ja në uebfaqen zyrtare në mesin e vendeve që kanë konfirmuar njohjen, numri dy i diplomacisë kosovare, Petrit Selimi, ka deklaruar se Omani i njeh shtetet edhe në mënyrë eksplicite dhe Kosova e pret njohjen formale nga ky vend. (LajmeShqip.com)