Lajme Shqip e Enjëte, 19 Janar 2012 13:20

Prishtinë – Sadik Abazi (1959), Fahredin Gashi (1969), Driton Hajdari (1980) Bekim Syla (1976) Shaban Syla (1965), familjarë të Azem Sylës dhe Shpresim Ukën (1968) më 3 shkurt do të nisin të gjykohen në rastin “Bllaca. Burimet kanë thënë se dëshmitari i parë do të jetë Nazim Bllaca.

Gjykata e Qarkut ka caktuar gjykimin për të shqyrtuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës të ngritur kundër gjashtë personave në rastin Bllaca. Nazim Bllaca, i vetëquajturi agjent i SHIK-ut ka ofruar prova për prokurorin Maorizio Salustro se këta persona shokë të tij kanë kryer shumë krime. Ata akuzohen për vrasje dhe vrasje të rëndë në tentativë.

Aktakuza të cilën e sjell portali LajmeShqip.com thotë se Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Shpresim Uka akuzohen për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shpresim Ukës, Driton Hajdarit dhe Bekim Syla, akuzohen për vrasjen në tentativë të Ismet Arifit. Për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt, akuzohen Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla.

Pika e parë e aktakuzës
Pika e parë e aktakuzës ngarkon Sadik Abazin, Bekim Sylën, Fahredin Gashin dhe Shpresim Ukën se në bashkëpunim me Nazim Bllacën, kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë duke vrarë Ibush Kllokoqin.

“Natën e vrasjes Fahredin Gashi ia ka dhënë Nazim Bllacës një armë zjarri të tipit Skorpion. Atë së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylën dhe Sadik Abazin kanë shkuar tek shtëpia e viktimës, Shpresim Uka, ka pritur afër shtëpisë, Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima kishte dalë tek dera, Nazim Bllaca e kishte vrarë atë me 6 plumba”, thuhet në këtë pikë.

Pika dy e aktakuzës
Pika dy e aktakuzës, rëndon mbi Sadik Abazin, Fahredin Gashin, Shpresim Ukën, Driton Hajdarin dhe Bekim Sylën, të cilët sipas dy prokurorëve në bashkëkryerje me Nazim Bllacën kanë tentuar ta vrasin anëtarin e LDK-së, Ismet Arifi.

“Ata kanë shkuar tek ndërtesa ku jetonte Ismet Arifi me gruan dhe djalin e tij. Fahredin Gashi kishte bërë rojë tek hyrja ballore e ndërtesës, Nazim Bllaca dhe Shpresim Uka kishin qëndruar rojë në katin e tretë, ndërsa Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Bekim Syla kishin shkuar tek banesa e Ismet Arifit dhe kishin trokitur në derë. Pasi i kishin thënë gruas së tij se donin të bisedonin me burrin e saj, ata ishin munduar ta nxirrnin Ismet Arifin nga banesa që ai të shkonte me ta. Pasi ai kishte refuzuar, ata e kishin kapur për qafe dhe e kishin goditur në këmbën e djathtë. Sapo Ismet Arifi kishte arritur të ikte me vrap shkallëve përpjetë, ata e kishin gjuajtur disa herë në drejtim të tij me armë zjarri, por nuk kishin arritur ta godisnin”.

Pika e tretë e aktakuzës
Pika e tretë bie mbi Shpresim Ukën, Driton Hajdarin dhe Shaban Sylën në bashkëkryerje me Nazim Bllacën për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt, ish-kryetar i Komunës së Ferizajt.

“Ditën e tentativës për vrasje, Driton Hajdari kishte ngarë një veturë ‘Opel Omega’ dhe e kishte ndjekur me makinë Adem Salihajn. Shaban Syla kishte qëndruar i ulur në ulësen e prapme të makinës i armatosur me një revolver dhe një mashkull i tretë i paidentifikuar deri tash kishe qëndruar i ulur pas”. Sipas aktakuzës, Nazim Bllaca dhe Shpresim Uka kishin qenë duke ngarë një makinë BMË përpara makinës së Salihajt për t’ia ngadalësuar shpejtësinë

“Kur kishte ardhur momenti i duhur makina ‘Omega’ i kishte dalë anash makinës së Salihajt dhe Shaban Syla kishte marrë shenjë me revole. Adem Salihaj kishte reaguar menjëherë duke ia drejtuar revolen e tij Shaban Sylës, i cili nuk kishte arritur të qëllonte nga arma e tij e zjarrit, sepse revolja e tij ishte bllokuar.

Ky gjykim është i dyti në rastin Bllaca. Në fund të vitit të kaluar Gjykata e dënoi me 18 vjet burg Fahredin Gashin për vrasjen e Salih Gashit më 15 qershor 1999. (LajmeShqip.com).