Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 10:12

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, njëherit kryesuese e delegacionit kosovar në dialogun teknik me Serbinë, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të para midis dy vendeve.

Sipas saj, e tëra mund të finalizohet më 2 korrik, në raundin e radhës të dialogut, derisa ka shpalosur detaje të pakos që përfshin gjashtë marrëveshje, të cilat janë disenjuar nga ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper.

Për shefen e delegacionit kosovar, propozimmarrëveshjet që kanë dalë më 6 qershor nga zoti Cooper, përfshijnë idetë e të dyja palëve dhe idetë europiane, ndërkohë që, sipas saj, “ekipet e ekspertëve po e bëjnë finalizimin e detajeve”.

“Mendimi im është se janë afruar shumë pikëpamjet. Po ashtu, që pala jonë tashmë ka dhënë pëlqimin në parim për propozimet që i ka paraqitur më 6 qershor ndërmjetësi Robert Cooper. Ne mendojmë se ato propozime janë mjaft të mira dhe japin zgjidhje të mirë për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve, pra vendosjen e një reciprociteti në fushën e lëvizjes së lirë”, ka thënë Tahiri, për mediat kosovare.