Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 13:24

Prishtinë – Gjatë qëndrimit në Athinë, zv/kryeministrja kosovare Edita Tahiri është pritur në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, në takimin me drejtorin politik në këtë ministri, ambasadorin Typhon Paraskevopoulos, ku e falënderoi shtetin grek për angazhimin pozitiv për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Sipas njoftimit të dhënë sot nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare, zv/kryeministrja Tahiri foli për përparimet në Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik dhe sovran, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria me prioritet për sundimin e ligjit, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe të mirëqenies së gjithë qytetarëve të Kosovës.

Të dy palët vlerësuan rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe në sferat e interesit të përbashkët, duke nënvizuar angazhimin e përbashkët për prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit.

Paraskevopoulos vlerësoi përparimet në Kosovë dhe siguroi se Greqia mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në frymën e Axhendës së Selanikut për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin e Evropian.

Palët po ashtu vlerësuan progresin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë si një kontribut për paqen dhe stabilitetin e rajonit, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe u vlerësua roli i BE-së për ndërmjetësimin e këtij dialogu.

Zv/kryeministrja Tahiri zhvilloi një takim me Ambasadorin Haralampos Dimitriou, Drejtor për Evropën Jug-lindore në Ministrin e Punëve të Jashtme Greke dhe udhëheqësit e departamenteve të Ballkanit perëndimor, ku u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve. Një pjesë e bisedës u fokusua në rrjedhat e dialogut teknik dhe rolin konstruktiv të palës së Kosovës në këtë dialog.

Ministria e Jashtme greke shtroi një drekë zyrtare për nder të zv/kryeministres Tahiri, ku morën pjesë qeveritarë grekë të angazhuar për çështje të Evropës dhe rajonit.

Zv/kryeministrja Tahiri vizitoi gjithashtu fondacionin Helen për politikë të jashtme dhe evropiane “ELIAMEP”.

Tahiri mori pjesë edhe në darkën me përfaqësues të biznesit grek që janë angazhuar në Kosovë, por edhe me biznesmenë potencialë që mund të inkuadrohen në të ardhmen.