Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 08:45

Presidenti austriak, Heinz Fischer, është bërë sebep që Kuvendi i Kosovës për herë të parë në sesionin vjeshtor ta zhvillojë një seancë normale, madje me solemnitet.

Pas takimit që ka pasur me të, të mërkurën, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka konfirmuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të Asociacionit me Kushtetutën, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithëse fjalimi i presidentit austriak që po realizon vizitë shtetërore në Kosovë ishte anuluar për shkak të situatës së tensionuar, në mbledhjen urgjente që ka ftuar Kryesia të mërkurën është vendosur që ai të enjten t’u drejtohet deputetëve.

Kjo lëvizje erdhi pas sinjaleve të opozitës se nuk do të bëhen pengesë kur është fjala për presidentin austriak. Opozita nuk do ta pengojë as ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kur ajo të sillet për votim në institucionin më të lartë përfaqësues.

Në Prishtinë po mbahet forumi ekonomik kosovaro-austriak B2B në të cilën po marrin pjesë 27 kompani austriake dhe rreth 100 kompani nga Kosova.