Lajme Shqip Thursday, 01 May 2014 12:10

Shtetasi Gentian Peta, gjeti vdekjen ditën e 19 prillit teka ishte duke udhëtuar me tragetin e linjës Bari-Durrës. Edhe pse kanë kaluar 13 ditë që prej vdekjes në rrethana tronditëse të 39-vjeçarit, ende nuk është dhënë përgjigje nga ekuipazhi i tragetit.

Pasagjerët thanë se, 39-vjeçari u la të mbytej duke mos i ofruar as procedurat standarde nga personeli i tragetit.

 “E lanë njeriun në det, asgjë s’i hodhën..ai kërkonte ndihmë, asnjë mjet për ta shpëtuar …”, – tha një pasagjer.

Deklarata e fundit: “Vinçat nuk kanë punuar” … 

“Normalisht raste të tilla janë të dhimbshme por komanda e anijes ka gjithë përgjegjësinë ligjore që të vazhdoje procesin e kërkim-shpëtimit. Doli mjeti i rojës së financës por u rikthye për një problem mekanik.  Presim që sërish ata të shprehin gatishmërinë për tu kthyer në rajonin e kërkim-shpëtimit”, – deklaroi kapiteneria më 19 prill.

 Përkundrazi u hodhën poshtë dyshimet e pasagjerëve duke thënë se ekuipazhi ka vepruar sipas rregullave detare duke marrë të gjitha masat për shpëtimin e tij. Por një video e publikuar në media, tregon atë që panë pasagjerët, faktin se trageti nuk disponon as mjetet minimale të kushteve teknike për të shpëtuar një jetë që kërkonte ndihmë, shkruan “shqiptarja.com”. 

 Prokuroria dhe policia e Durrësit kanë nisur një hetim për të cilin ende nuk ka rezultat përfundimtar edhe pas dëshmive nga një numër i konsiderueshëm pasagjerësh, për mungesën e gatishmërisë së mjeteve të operacionit të kërkim- shpëtimit për 39-vjeçarin Gentian Peta. Zyrtarisht, policia e Durrësit ka bërë me dije se do të hetohet me kujdes mënyra e kryerjes së veprimeve nga stafi drejtues i tragetit dhe ekuipazhi, nëse kanë përmbushur apo jo procedurën standarde. “Skafi ishte i shpuar, barka e shpëtimit ishte pa karburant; kur i hodhën karburant, nuk punonte vinçi që ta zbrisnin në ujë”, – kanë deklaruar pasagjerët.

 Trageti që bën linjën e përditshme Durrës-Bari dhe anasjelltas, është me pronar dhe ekuipazh grek. Kapitaneria e portit të Durrësit sqaron se, pas ngjarjes së datës 19 prill, trageti është lejuar sërish të kryejë lundrimet e parashikuara.