Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 13:56

Durrës – Trupi i pajetë i një gruaje, që u gjet tre ditë më parë në kodrat e Ishmit, 35 km larg qytetit bregdetar, i përket një nëne 29 – vjeçare me dy fëmijë, e divorcuar.

Policia e Durrësit bëri të ditur se trupi i gruas u identifikua sot si Rolanda Kaja, në morgun e spitalit të Tiranës. Ajo u gjet e pajetë në një kanal pranë rrugës Lalëz-Ishëm. Në trupin e nënës 29 – vjeçare nuk janë konstatuar shenja dhune.

Rolanda Kaja, lindur në Kryevidh të Kavajës, ishte divorcuar nga bashkëshorti disa vite më parë dhe kohët e fundit banonte në lagjen e plazhit në Durrës. Policia bëri të ditur se, sipas informacioneve, rezulton se ajo ishte larguar nga banesa të dielën e kaluar. Prokuroria po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së 29 – vjeçares.