Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 11:39

Prishtinë – Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare do ta ketë mjaft të vështirë të vendosin se cilat modalitete do të përdorën për ekzekutimin e dënimit me burg për Nazim Bllacën.
Ky i fundit po kërkon që dënimi me burg prej 4 vjet e gjashtë muajsh t’i reduktohet dukshëm, për hir të kontributit që ka dhënë gjatë dy proceseve paraprake gjyqësore, “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2”. Njëkohësisht ai pati thënë senuk do të vuajë dënimin në burgjet e Kosovës.
Krejt këto për mbrojtësin e tij, avokatin Osman Havolli e bëjnë rastin e Bllacës më specifik se të gjithë tjerët. E, ndonëse thotë se nuk do të lë mjet ligjor pa shterur për të ulur dënimin e Bllacës siç ka kërkuar ai, Havolli shprehet pesimist se dëshira e klientit të tij do të realizohet. Ai vetëm brenda katër minutave përmendi pesë herë fjalën “vështirë”, derisa foli për rastin “Bllaca” me Express.
Avokati tha se është ende në pritje të aktgjykimit me shkrim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 19 korrik të këtij viti, për të vazhduar me ankesën ndaj dënimit në Apel.
“Por një gjë duhet ditur, vendimi do të atakohet vetëm lidhur me lartësinë e dënimit sepse ky (Bllaca) fajësinë e ka pranuar. Shumë vështirë është të krijohen rrethanat ligjore sa i përket llogaritjes së afatit sa ky ka qëndruar në arrest shtëpiak dhe mbrojtje të afërt por të shohim”, tha Havolli të dielën për Express.
Ai madje mohoi mundësinë që plot tri vjet e tetë muajt sa Bllaca ka qenë i privuar nga liria e plotë për shkak të proceseve gjyqësore, të mund t’i zbriten nga dënimi i shqiptuar.
“Çkado që vendoset është një befasi edhe për të (Bllacën) edhe për neve. Në arrest shtëpiak sa ka qëndruar një vit do t’i kompensohet sa i përket këtyre viteve tjera mbetet të shihet më tutje, por vështirë është”, tha ai.
“Vetëm nëse lidhet diçka me instrumente ndërkombëtare, konventa apo dispozita tjera, duhet të shikohet tash edhe konventa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut mirëpo e them prapë është vështirë shumë, rasti është specifik”.
Havolli iu përgjigj edhe dilemës së shtruar këtyre ditëve nëse Bllaca për shkaqe sigurie do të mund të vuajë dënimin e tij jashtë burgjeve të Kosovës.
“Nuk shkoj në burgjet që i kontrollon Hashim Thaçi dhe Azem Syla”, kishte deklaruar disa herë publikisht Nazim Bllaca i vetëdijshëm për pasojat e veprës që ka kryer në 99’ën.
Por kjo, sipas avokatit të tij, është e pamundshme.
“Po të ishte kryer në një shtet tjetër dhe kërkon me u transferua atëherë ka drejtë me vuajt dënimin në bazë të marrëveshjeve bilaterale, mirëpo në këto rrethana jo”, tha ai.
Havolli tha se EULEX do të merret ekskluzivisht me këtë rast edhe në fazën e ekzekutimit të dënimit. Mohoi mundësinë që Apeli të ndryshojë dënimin me burg për Ballcën derisa tha se krejt çka duan është një lehtësim edhe më i madh se sa që i është bërë Bllacës. Ani se e din se kjo është prapë vështirë për të ndodhur.
“Me e prish vendimin Apeli nuk mundet sepse Bllaca ka pranuar fajësinë dhe prandaj do të shohim se si do të jetë më tutje, por po e them se pjesë e këtyre zhvillime do të jetë i kyçur në tërësi EULEX’i”, tha ai.
“Mendja ma merr që më pak do të jetë e kyçur pjesa vendore për shkak të rastit por tash modalitetet e pas vendimit të Gjykatës Themelore mbetet ende çështja të hapura dhe besoj se edhe EULEX’i tash për tashvështirë e ka me dhanë diçka konkret e lidhur me këtë pra e them kemi të bëjmë me një rast të vështirë dhe specifik”.
Ndryshe, Nazim Bllaca u dënua të premten nga drejtësia, pas katër viteve bashkëpunimi me të, me katër vjet e gjysmë burg për vrasjen e rëndë të Ibush Kllokoqit më 6 gusht të 1999’ës. Vrasjen, për të cilën fajësinë e pranoi qysh në 2009’ën publikisht, kërkojë falje nga familja e Kllokoqit dhe sipas gjykatës e kreu me dashje dhe motive të ulëta në bashkëveprim me katër persona të tjerë. Bllaca ndërkohë është edhe dëshmitari kyç i disa vrajave të pasluftës në të cilat tha se ka marrë pjesë si pjesëtarë i SHIK’ut dhe me urdhër të Azem Sylës e Kadri Veselit. Si pasojë e daljes së tij publike ku foli për të gjitha këto EULEX dërgoi prapa grilave tetë persona.