Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 08:55

Shkup – Nënkryetari i Demokracisë së Re (DR), Abedin Zymberi, ka publikuar vendimin e braktisjes së subjektit të tij politik. Ai ka thënë se nuk ka ku të deponojë dorëheqjen, pasi selisë së partisë i është vënë çelësi.

Zymberi ka thënë se ndihet i zhgënjyer nga ish-kreu i saj, Imer Selmani, i cili pas dështimit në zgjedhjet e 5 qershorit ka reflektuar një sjellje të pahijshme ndaj të gjitha strukturave partiake. Sipas tij, Selmani i ka mbyllur zyrat dhe nuk përgjigjet në telefon.

“Çdo moment pres që të hapet zyra dhe të paraqes dorëheqjen time, sepse nuk dua të komprometohem me figura të cilat kanë vetëm interesin personal e aspak interesin shoqëror për të cilin kemi punuar ne për ata. Me këtë injorim ai realisht ka nervozuar të gjithë strukturën e DR-së, konkretisht mua si nënkryetar partie. Unë shkova në selinë e partisë, desha të takoj dikë, por atje pashë dyert e mbyllura dhe deri në këtë moment edhe kryetari nuk është paraqitur në telefon dhe kjo dëshmon se në këtë parti nuk ka më bukë”, tha ai.

Sipas nëkryetarit të DR-së, fatkeqësia më e madhe është se paraqiti dorëheqjen pa u konsultuar as me strukturën dhe as me kërkon. “Dha dorëheqje kokë në veti gjë që tregon qartë se kjo parti paska qenë vetëm pronë e dikujt, por jo edhe parti shoqërore, ku marrin pjesë të gjithë dhe që e kemi ndërtua të gjithë”.

Duke folur për angazhimin e tij të mëtejshëm politik, Zymberi pohon se për momentin do të pushojë ndaj çfarëdo aktiviteti politik.

Dorëheqja e tij pasoi pas largimit të kreut të kësaj partie, Imer Selmani, i cili ndërmori hapin e largimin pas dështimit dhe humbjes së thellë në zgjedhjet e 5 qershorit.