Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 18:48

Prishtinë - Fituesi i çmimit Nobel për mjekësi, Dr. Ferid Muradi, me ftesë të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) të enjten do të vizitojë Kosovën.

Gjatë kësaj vizite Dr. Muradi do të mbajë një ligjëratë për studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë dhe do të njihet më për së afërmi me punën e këtij universiteti.

“Dr. Muradi është një personalitet i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme në shkencën botërore dhe ne jemi shumë të nderuar që ai ka pranuar ftesën tonë për të na vizituar”, tha kryetari i AUK-ut, Dr. Kris Hall.

Personalitete si Dr. Murati, shtoi Hall, padyshim janë një inspirim i madh për studentët e këtij universiteti për të synuar majat e suksesit.

Universiteti Amerikan në Kosovë ka propozuar dhe presidenca e ka pranuar kërkesën që Dr. Murati të shpallet “Qytetar Nderi i Republikës së Kosovës” nga presidentja Jahjaga.

Gjatë vizitës Dr. Muradi to të takohet edhe me personalitete të tjera në Kosovë nga fusha e mjekësisë, shkencës, politikës dhe shoqëria civile.

Dr. Murati fitoi Çmimin Nobel për mjekësi në vitin 1998, me dy shkencëtarë të tjerë. Dr. Muradi tani është profesor në Universitetin George Washington dhe udhëheqës i laboratorit të Biokimisë dhe Biologjisë Molekulare në këtë universitet. Gjatë karrierës së tij të bujshme Dr. Muradi ka ligjëruar në disa nga universitetet më të njohura amerikane dhe ka bërë punime kërkimore shkencore në disa nga qendrat më inovative amerikane. Krahas Nënës Terezë, Dr. Murati është i vetmi person me preardhje shqiptare që ka fituar këtë çmim prestigjioz.