Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 16:39

Prishtinë- Përfaqësuesit e EULEX-it ia dorëzuan Agjencisë së Regjistrimit Civil në Kosovë kopjet e vërtetuara të 1066 librave amzë, ku është dorëzuar dosja e plotë për Komunën e Podujevës.

“Është dorëzuar dosja e plotë për Komunën e Podujevës. Kjo dosje përbëhet prej kopjeve të vërtetuara të librave amzë origjinale civile dhe fetare të cilat përmbajnë të dhëna rreth lindjeve, martesave dhe vdekjeve”, thuhet në njoftimin e këtij misioni.

Këto kopje janë përgatitur dhe vërtetuar gjatë muajit të kaluar, si pjesë e një projekti të madh në Nish, në të cilin përfshihen EULEX-i, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, Këshilli Danez për Refugjatë, si edhe ekipet nga Kosova dhe nga Serbia.

“Vlerësohet se në Serbi ndodhen rreth 12,036 libra amzë. Procesi i vërtetimit të kopjeve të librave amzë origjinale është pjesë e marrëveshjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja e arritur më 2 korrik 2011 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky projekt është faza e parë e themelimit të një regjistri civil plotësisht të besueshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë, siç parashihet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, thuhet në deklaratë.

Deri më tani EULEX-i i ka dorëzuar mbi 3835 kopje të vërtetuara të librave të regjistrit civil, që i mbulojnë komunat e Prishtinës (1013), Lipjanit (848), Obiliqit (264), Fushë Kosovës (219), Gllogocit (425) dhe të Podujevës (1066).