Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 11:34

Tiranë – Mazhoranca ka shprehur gatishmërinë për të votuar të gjitha amendamentet që Partia Socialiste do të propozojë lidhur me Kodin për zgjedhjet e ardhshme, tha deputetja Mesila Doda në një prononcim televiziv nga Brukseli.

Pjesëmarrëse në takimin me eurodeputetë në Parlamentin Europian, Doda tha se “nga ana e Brukselit është thënë vazhdimisht që situatat zgjidhen gjithmonë mbi vlerat evropiane, të tolerancës, bashkëpunimit, dialogut mes palëve. Kjo ishte ajo që u  tha gjatë gjithë takimit të djeshëm dhe të sotëm”.

Sipas saj, secila nga palët e  pranishme në takim “ka shprehur qëndrimin lidhur me situatën e zgjedhjeve, mbi reformat e mundshme që duhet dhe që kemi nevojë të miratojmë së bashku”.

“Ajo që është më e rëndësishme është se kemi treguar gatishmërinë për të votuar të gjitha amendamentet që PS do propozojë lidhur me kodin për zgjedhjet e ardhshme”, tha Doda, duke theksuar se “kemi treguar gatishmërinë për të votuar të gjitha ligjet, shumë prej të cilave i kemi kaluar në Komisione, ligje që kërkojnë 3/5 e deputetëve për t’i miratuar dhe kemi shprehur pritshmërinë tonë për ardhjen e emrit për Avokatin e Popullit”.

Sipas saj, “janë të gjitha pjesë të rekomandimeve që BE ka bërë. Maxhoranca ka bërë pjesën e saj, presim konsensusin nga ana e PS, që e kanë në dorë vetë PS”. Doda shtoi se në takim “është folur edhe mbi një mundësi për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias për çështje që jemi në dyshime lidhur me ndryshimin e Kodit për zgjedhjet e ardhshme, por edhe për çështje që duam të ndryshojmë në Kod. Në këtë sens drejtimi tek Komisioni i Venecias për çështje të tilla është opsion i hapur”.

Delegacioni i Kuvendit në Parlamentin Evropian përbëhet nga 14 deputetë, 7 nga maxhoranca dhe 7 nga opozita. Në këtë takim ndërparlamentar u diskutuan 12 prioritetet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë, si dhe situata politike në Shqipëri.