|
|
e Enjëte, 26 Korrik 2012 18:09 Tiranë – Gjykata e Tiranës vendosi sot që dorëshkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, i shkrimtarit Ismail Kadare, të kalojë për ruajtje në Arkivin e Shtetit.
Vendimi i gjykatës konsiston në ruajtjen e dokumentit origjinal nga një palë e tretë, para se të merret edhe vendimi nëse ai do i kalojë Kadaresë, apo jo. Ky vendim është marrë pas padisë që Kadare ka bërë ndaj të vesë së diktatorit Enver Hoxha për t’ia dorëzuar atij dorëshkrimin origjinal të romanit.
Nga ana tjetër, Nexhmie Hoxha, ka deklaruar se romani i është dhuruar në vitin 1972 nga vetë shkrimtari. Avokati i Nexhmije Hoxhës tha se ajo do e dorëzojë dorëshkrimin origjinal të romanit në Arkivin e Shtetit. Gjykata pritet të marrë një vendim tjetër, për t’ia kaluar këtë dorëshkrim Ismail Kadaresë apo jo. Sot u zhvillua seanca e dytë e gjyqit, pas shtyrjes të seancës së parë ditën e hënë, për mungesë të avokatit të Nexhmije Hoxhës (LajmeShqip.com)