Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 19:32

Një burrë në moshë të thyer ka tentuar t’i japë fund jetës në mënyrë të dhimbshme duke i vënë flakën vetes. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Maqellarë të rrethit Dibër. Agim Fida 64 vjeç nga Maqellara e Dibrës ka përdorur një bidon me një litër e gjysmë benzinë për të kryer aktin e rëndë. Ai ka lyer trupin e tij me benzinën dhe më tej i ka vënë flakën vetes. Në pak çaste në vendngjarje janë afruar të afërm dhe persona të rastësishëm të cilët kanë arritur të shuajnë flakët duke shmangur djegien fatale.

 

Fida është dërguar në spitalin lokal ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave të para mësohet se Fida vuante nga depresioni dhe para se të kryente aktin e vetëdjegies, kishte konsumuar alkool. Bashkëshortja e Agimit, tregon se i shoqi kishte marrë një bidon me benzinë dhe kishte kryer aktin e vetëdjegies, në rrethana gjendjeje depresive, pas humbjes së djalit të tyre. Dy vjet më parë në një aksident rrugor, Fida kishte humbur djalin e tij në një aksident rrugor dhe kishte kohë që e përjetonte keq këtë humbje. Nga spitali, Agim Fida nuk ka mundësi të flasë shumë, por ai arrin të thotë se “doja të vdisja, sepse kisha dhimbje për djalin”.