Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 13:25

Prishtine – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ditët në vazhdim ka paralajmëruar se Prishtina do të marrë vendime të vështira, të cilat, ai i ka cilësuar si jo shumë populiste për lidershipin kosovar. Ai ka hequr dilemat se do të ketë status të veçantë për pjesën veriore të Kosovës, për të cilën gjë ai ka thënë se edhe Beogradi e ka kuptuar një gjë të tillë. Në rast të dështimit të marrëveshjes, Thaçi ka thënë se do të pësojnë të dyja vendet. Gjatë takimeve që kanë pasur në Bruksel, kryeministri Thaçi ka thënë ta ketë vërejtur qëndrimin e palës serbe, e cila, sipas tij, është e interesuar vetëm për territorin dhe për serbët në veri, kurse as të vetmen fjalë nuk e ka folur për serbët që jetojnë në jug të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ditën në vijim do të jenë kritike për qeverinë e Kosovës, pasi që pritet marrja e vendimeve të vështira, për të cilat ai ka thënë se nuk do të jetë shumë ‘populiste’ për lidershipin e vendit, sikurse që ka thënë se edhe Beogradi është në situatë të vështirë.

“Kemi ardhur në një fazë tanimë të rëndësishme, në një fazë vendimtare. Mund të them lirisht edhe në procesin final të vendimmarrjes dhe hapjes së temave të ndjeshme, që nuk janë fare populiste për lidershipin as në Kosovë, e ndoshta as në Serbi, por që janë në interesin e paqes dhe të stabilitetit dhe që janë në interesin e Kosovës, që janë në interesin edhe të perspektivës së Serbisë, por që janë në interesin edhe të të gjithë rajonit dhe investimeve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, në Serbi dhe në gjithë rajonin”, ka thënë ai.(KP/LajmeShqip.com)