Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 11:27

Si vendi i fundit në Evropën Juglindore edhe Kosova po nënshkruan marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Por për të arritur qëllimin për anëtarësim në BE, rruga është ende shumë e gjatë.

“Për ne, ky është një moment historik, një hap historik. Me këtë Kosova fillon një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, gjatë një interviste dhënë Deutsche Welle. Së bashku me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ai sot (27.10) në Strasburg do të nënshkruaj Marrëveshjen e stabilizim asociimit (MSA). Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i kushteve për fillimin e negociatave për anëtarësim. Kosova detyrohet të zbatojë reformat e nevojshme, derisa BE-ja merr përgjegjësinë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë këtij vendi, transmeton lajmi.net.

Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme se ky hap i parë është i lidhur me shumë sfida, sidomos pas bllokadës dhe dhunës së shfaqur javëve të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku opozita po përdor në mënyrë të përsëritur gaz lotsjellës. Opozita synon të detyrojë qeverinë të tërheq marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja, të cilat kanë të bëjnë me autonomi më të madhe, të drejtat për pakicën serbe dhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. “Ose qeveria të tërheq marrëveshjet e tilla, ose qeveria duhet të tërhiqet vet”, ishte motoja e protestave të fundit të dhunshme të opozitës nacionaliste.

 Por qeveria po hedhë poshtë këto pretendime. “Askush nuk mund të garantojë zbatimin e reformave, nëse trazirat dhe bllokadat vazhdojnë. Por ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundshme për të stabilizuar situatën dhe të vazhdojnë reformat”, ka shtuar ministri Çollaku.

Për ligje nevojitet shtet ligjor

Edhe zëvendës kryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, është hidhëruar për shkak të dhunës në parlament. “Është turp i madh dhe turpërohem që jam pjesë e një Parlamenti të tillë. Është mirë që shumica e deputetëve dhe popullata janë kundër një sjelljeje të tillë”, ka shtuar Stojanoviq për DW.

Që nga lufta në Kosovë në vitin 1999, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka miratuar ligje të shumta që janë në përputhje me standardet e BE-së. “Kosova ka ligje shumë moderne. Por problemi qëndron tek zbatimi i tyre, sepse vetëm një shtet ligjor me infrastrukturë ligjore mundëson investime të huaja. Kurse investimet e huaja janë të nevojshme”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Varfëria dhe mungesa e shpresës

Të dhënat zyrtare nga Banka Botërore tregojnë se mesatarja e të ardhurave për kokë banori gjatë vitit 2014, ishte 2,900 dollarë, kurse shkalla zyrtare e papunësisë mbetet e lartë – 35 për qind. Kalimi nga një ekonomi të planifikuar në një ekonomi të tregut, ka mundësuar kryerjen privatizimi i shumë aseteve shtetërore. Megjithatë, privatizimi është kryer me shumë parregullsi të rënduara nga korrupsioni. Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej rreth tre për qind.

 Pavarësisht progresit të arritur që nga shpallja e pavarësisë, ekonomia vazhdon të mbetet e dobët. Më shumë 90 për qind e të gjitha mallrave në Kosovë vijnë nga jashtë. Varfëria ekstreme, përkatësisht përqindja e njerëzve që jetojnë me më pak se një dollarë në ditë, shkon në 18 për qind. Dhe rreth 15 për qind të prodhimit të brendshëm bruto përbëhet nga dërgesat nga diaspora. Burokracia është shumë e rëndë dhe pasqyron historinë e planifikimit qendror. Një nga sfidat më të mëdha në Kosovë mbeten korrupsioni dhe krimi i organizuar, për të cilin dyshohet se shkon në një nivel të lartë politik.

Serbia e kundërshton

Megjithatë, Gërxhaliu beson se Kosova është në gjendje të ballafaqohet me të gjitha këto sfida. “Kosova ka nevojë për një gjyqësor të pavarur dhe zbatim të ligjeve ekzistuese, të cilat shpesh herë shërbejnë vetëm si dekorim. Unë besoj se partneriteti me Bashkimin Evropian do të forcojë përpjekjet për sundim të ligjit dhe ekonomi të tregut. Sepse, nuk ka alternativë”.

Kosova aktualisht ka mbështetjen e plotë të BE-së. Vendi i cili shpalli pavarësinë në vitin 2008, deri më tani është njohur nga 111 vende, nga të cilat 23 janë anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe pse e mbështesin MSA-në me Kosovën, Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania, po refuzojnë të njohin pavarësinë e këtij vendi. Një barrë të veçantë në procesin e integrimit të Kosovës në BE përfaqësojnë marrëdhëniet me Serbinë, e cila me forcë po kundërshton pavarësinë e Kosovës. Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, së fundmi e ka vlerësuar si të “tmerrshme”, dëshirën e Bashkimit Evropian për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.