Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 16:20

Prishtinë – Ka nisur dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur “C” në rastin “Kleçka” ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve. Në pjesën e parë të seancës ai është marrë në pyetje nga Prokurori Mauritzo Salustro. Por, pothuajse gjatë tërë kohës fjalia e tij kryesore ka qenë “nuk më kujtohet”  kur prokurori e ka ballafaquar me deklaratën e tij gjatë hetimeve, raportoi  KTV nga ky proces . Ai ka pranuar se ka qenë në Kleçkë, por jo i burgosur.

“Nuk jam kon në burg more, veç kena lujt me top”, ka thënë dëshmitari “C” me videolink. Prokurori i ka kujtuar atij se në fazën e hetimeve ka thënë se ka qëndruar në një qeli me 4 persona të tjerë. “Nuk ka pas qeli. Ku kemi pasë kohë me maru qeli. Mos folni pallavra”, është përgjigjur dëshmitari.

 Megjithëse gjatë hetimeve kishte thënë se ka qenë anëtar i LDK-së, dëshmitari ‘C’ ka demantuar veten, duke thënë se është me rëndësi që është qytetar i Kosovës e s’ka rëndësi a është me LDK-në apo PDK-në. Por, gjatë dëshmisë ka potencuar se është nga Drenica.(LajmeShqip.com)