Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 15:34

Gazeta austriake “Der Standard” e përshkruan qytetin e Pejës si më të qetë, pas shumë viteve si qendër e krimit të organizuar. Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri thotë se shefi i AAK-së Ramush Haradinaj ende bën para me “benzinë dhe lojëra fati”.

Tashmë dy vite kryetar i Pejës është Gazmend Muhaxheri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Gjatë kësaj periudhe, shkruan gazeta e njohur austriake “Der Standard”, ky qytet në rajonin e Dukagjinit i është kthyer qetësisë. Me vite të tëra Peja është konsideruar vatër e krimit të organizuar. Ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët më vonë u bashkuan në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Dukagjin kanë humbur dukshëm ndikimin e tyre.

Në kryeqytetin e Kosovës AAK bojkoton parlamentin dhe hedh gaz lotsjellës me qëllim të luftimit të dy marëveshjeve që ka lidhur qeveria – me Serbinë dhe Malin e Zi. Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri e sheh këtë sjellje të AAK-së më shumë si shenjë të humbjes së pushtetit. Kush nuk është në qeveri e ka më të vështirë të ketë qasje në paratë publike, thotë Muhaxheri. Shefi i AAK-së Ramush Haradinaj dhe njerëzit e tij ende bëjnë para me «benzinë dhe me lojëra fati», ka deklaruar Muhaxheri. Ai thotë se tani SHBA-të nuk kanë nevojë për Haradinajn, sepse ekziston një koalicion i madh. Muhaxheri mendon se strukturat e vjetra ende mund të jenë të rrezikshme, sidomos nëse bëhet fjalë për pushtet dhe para. Duke folur për përleshjet e përgjakshme të viteve të pasluftës mes klanit Haradinaj dhe luftëtarëve të FARK-ut, Muhaxheri thotë: “Kanë ekzistuar pesë deri gjashtë skuadra për vrasje, të cilat kanë qenë të ngarkuara për të spastruar”.

Në kuadër të këtyre ngatërresave ai e sheh edhe konfliktin mes familjes Haradinaj dhe familjes Musaj.

Duke komentuar vrasjet e shumta në Dukagjin, të cilat kryesisht kanë mbetur të pasqaruara, Muhaxheri i tha gazetës austriake se problemi ishte te UNMIK-u i korruptuar.

Zyrtarët e OKB-së “nuk janë interesuar për sigurinë e policisë së këtushme, vetëm për njerëzit e tyre”. Vrasjet u ndalën kur Haradinaj u bë kryeministër më 2004, por një vit më vonë u vra vëllai i Haradinajt, Enveri.

Së fundi emri i Haradinajt u përmend në kontekst të përleshjes me armë në Kumanovë në maj, mes forcave maqedonase dhe luftëtarëve shqiptarë.

“Dy luftëtarë, të cilët vdiqën gjatë përleshjes me armë, kishin punuar për Haradinajn: Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj. Ekzistojnë fotografi të të dyve me Haradinajn. Rizaj ishte truprojë e tij”, shkruan “Der Standard”.

I pyetur nga gazeta austriake se çfarë dinte për Kumanovën, Haradinaj u përgjigj në mënyrë konfuze, duke thënë se konflikti ishte produkt i logjikës korruptive dhe përmendi disa qeveri në rajon, që janë të përfshira thellë në korrupsion, por pa dhënë ndonjë detaj.

Muhaxheri beson se duhen edhe rreth 20 vjet derisa kuadrot e vjetra të UÇK-së të zhduken nga politika. “Ata janë të instaluar në shtet”, transmeton DialogPlus tekstin e gazetës austriake “Der Standard”.