Lajme Shqip Tuesday, 30 July 2013 14:36

Tiranë- Asnjë deputet socialist apo zyrtar i lartë i kësaj partie nuk ka lëvizur jashtë vendit për pushimet e verës.
Ndonëse kanë qenë të karikuar me kapacitet të plotë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të këtij viti duke qëndruar ‘non stop’ në fushatën elektorale në zonat e tyre, dhe duke shënuar një rezultat fitues me të vërtetë mbresëlënës, deputetë dhe zyrtarë të lartë të PS mësohet se nuk kanë bërë pushime të plota në breg të detit.
Burimet brenda selisë rozë kanë bërë me dije për Shqiptarja.com se deputetët dhe zyrtarët socialistë kanë frekuentuar vetëm bregdetin shqiptar, dhe pse pushimet janë bërë të shkëputura për të qenë në selinë e PS sa herë që e sjell nevoja, shkruan tema. 
Burimet saktësojnë se ka qenë vetë kreu socialist Rama ai që ua ka “djegur” pushimet jashtë vendit apo pushimet e gjata deputetëve dhe zyrtarëve socialistë, duke kërkuar që të jenë rrotull selisë së PS dhe jo në kohë të stërzgjatur me pushime, pasi ai ka këmbëngulur se shtatori do të jetë momenti kur socialistët dhe aleatët e tyre do të implementojnë një qeverisje, e cila do të jetësojë të gjitha pikat e programit qeverisës dhe politik të përgatitur me kujdes dhe të prezantuar gjatë fushatës elektorale, që solli dhe fitoren e opozitës.
Njëherësh në këto ditë pritet që të bëhet i ditur dhe kabineti i ri qeveritar dhe janë vetë zyrtarët e PS dhe deputetët e kësaj partie të interesuar të jenë afër selisë.