Lajme Shqip Thursday, 27 June 2013 15:42

Prishtinë – (E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka lëshuar një deklaratë disa orë pasi është ratifikuar marrëveshja në Kuvendin e Kosovës.

Ajo është marrë edhe më Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka organizuar disa aktivitete për të penguar votimin e marrëveshjes në Kuvend, raporton Express. 

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ia ka rikujtuar Vetëvendosjes se askush nuk duhet të pengoj punën e Kuvendit të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës si organ legjislativ i zgjedhur me votën e popullit nuk duhet të pengohet në punën e tij dhe në marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, thuhet në deklaratën e Presidentes.

“Presidentja Jahjaga shpreh shqetësimin e saj me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe thekson se tendenca për të penguar funksionimin demokratik të institucioneve është shprehje e papranueshme e pakënaqësisë politike”, ka shtuar ajo.

Sipas Jahjagës, ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend është një hap përpara drejt vendosjes së bazave për një marrëdhënieje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane dhe të pavarura.

“Marrëveshja ndihmon në stabilitetin dhe paqen në rajon dhe hap rrugën e integrimeve evropiane për të dyja shtetet. Ajo krijon bazën për vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit ne territorin e Republikës së Kosovës dhe hap perspektiven e qartë për qytetarët e komunitetit serb që jeton në komunat në veri të territorit të vendit për integrim në shoqërinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, ka konstatuar Jahjaga.

 

 

***

Prishtinë – Qeveria e Kosovës ka dënuar tentimin për të bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës nga ana e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe tentimin për të bllokuar hyrjen e deputetëve, të ambasadores së SHBA-së në Prishtinë dhe të përfaqësuesve tjerë ndërkombëtarë, për të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

“Qeveria konsideron se dhuna e ushtruar në mënyrë të vazhdueshme nga kjo lëvizje në rrugë e sheshe, por edhe tentimi për futjen e dhunës në institucione, është në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit të Kosovës për ndërtimin dhe konsolidimin demokratik të institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Po sipas qeverisë, “vullneti i qytetarëve për Kosovën evropiane, i shprehur me votën e lirë është mbi të gjitha, është mbi synimet për të rrënuar gjithë suksesin e arritur të shtetit të Kosovës dhe mbi synimet e ulëta, që, për arsye të dështimeve personale në politikë, të tentohet të rrënohet perspektiva evropiane e Kosovës”.

 

AAK: Vetëvendosje po i vë hije të zezë vendit

Ndërkohë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon sjelljen vandale të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje sot në hapësirat para Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prag të seancës së sotme parlamentare, ku u penguan të hyjnë në Kuvend shumë deputetë dhe vetë Ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë, e ftuar zyrtarisht që ta përcjellë këtë seancë.

“Dhuna dhe forma të tilla të sjelljes në dhe afër institucioneve të vendit, janë në kundërshtim me të gjitha parimet demokratike, të lirisë së lëvizjes dhe të kryerjes së punës nga të zgjedhurit e qytetarëve të Kosovës.
Aktivistët e VV jashtë ndërtesës dhe deputetët e saj brenda sallës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kanë vënë hije të keqe vendit dhe kanë cënuar imazhin e institucioneve tona në sy të qytetarëve dhe të miqve tanë ndërkombëtarë.
I ftojmë të gjithë qytetarët e vendit që të jenë të përmbajtur, të besojnë në istitucionet e Republikës së Kosovës dhe në punën plot sfida që e kemi përpara, në kuadër të proceseve të rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Rruga institucionale dhe ajo e koordinimit me miqtë tanë më të mirë ndërkombëtarë, është e vetmja alternativë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve dhe për zhvillimin e mëtejmë të vendit tonë, si pjesë e pandarë e familjes së madhe të vendeve euro-perëndimore”, thuhet në reagimin e AAK-së.