Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 14:05

Dibër – Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi gjatë qëndrimit të tij në Dibër ka vlerësuar se Kosova duhet të pranohet nga dy e tretat e shteteve të botës me qëllim që pastaj shteti të pranohet në Kombet e bashkuara. Sipas tij, edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe është nën kontrollin ndërkombëtar, megjithatë, siç shton, “ka pengesa në Kushtetutën”.

”Kemi një pjesë të territorit të Kosovës, e cila ende mbahet nga Serbia nën pushtimin e tyre. Pra, kemi ende probleme të pazgjidhura nga ekonomia, buxheti, bujqësia tepër e prapambetur, papunësia tejet e madhe. Jemi shtet i ri, gati tre vjet, por jemi ende larg pavarësisë së vërtetë”, ka thënë Demaçi, duke shtuar se “Pavarësi do të thotë të kemi ushtrinë tonë që ende nuk e kemi, policinë, të mos kemi gjyqe ndërkombëtare, prokurorë ndërkombëtarë, sikur që kemi të EULEX-it. Ne kemi trupa ndërkombëtarë pa të cilët nuk do të qëndronim, sepse Serbia është e armatosur deri në ‘dhëmbë’, ndërsa ne jemi të ç’armatosur, krejtësisht. Mirëpo, me gjithë këto probleme Kosova ec përpara. Sidomos Amerika e ka kuptuar që Kosovës duhet t’i jepet një mbështetje ashtu siç e meriton populli shqiptar. Gjithashtu, këtë mbështetje e kemi nga shtete të ndryshme të Evropës dhe në një mënyrë ia bëjnë me dije Serbisë që nuk mund vetëm të kërkojë edhe më tutje të copëtojë Kosovën, por të pajtohet me realitetin”, ka thënë Demaçi.

Sa i takon Qeverisë së Kosovës, sipas tij, ajo nuk ka të gjitha kompetencat, është nën kontrollin e të tjerëve, duhet të ketë bisedime me Serbinë, duhet të jep dokumentet origjinale kadastrale, pra ajo sillet si një fuqi imperiale ndaj nesh, kurse Bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka ardhur në një situatë që ta shtrëngojë Serbinë që sillet si një fajtore dhe gjakatare, por, “mundohet që ta bëjë një partnere nga një shtet mafioz që lau me gjak Kroacinë, Slloveninë, Bosnjën dhe bëri kërdi në Kosovë”.

Sipas Demaçit, projekti i Marti Ahtisarit thotë se me ligj Kosova nuk mund të bashkohet me askënd, domethënë nuk përmendet konfederatë dhe mendoj se, “ky projekt do të shkelet, sepse ishte projekt enkas për të bindur Rusinë që të lejojë që Kosova të lirohet nga rezoluta 1244 dhe të nxjerrin një rezolutë tjetër”.

“Kjo nuk u bë, ndaj duhet të anulohej ky projekt, por udhëheqja jonë u tregua oportuniste dhe nuk e bëri këtë punë që duhej ta bënte. Pra, jemi futur në kurth pa nevojë, por besoj se ky kurth do të kalbet dhe Kosova do të arrijë lirinë vendimtare”, ka thënë Demaçi.

Lidhur me partitë politike në Kosovë, sipas tij, ato janë të tepërta, “na duhen aq parti sa të mund të funksionojmë dhe duhet të jemi të bashkuar shumë fort që të mund të qëndrojmë, sepse kemi probleme me fqinjët që na kanë copëtuar, pra me Greqinë që bashkëpunon me Serbinë, pastaj edhe Rusia, pra luksi i shumë partive është në të vërtetë një përçarje e fuqisë politike e cila është në dëm të Kosovës dhe Shqipërisë”.