Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 15:25

Prishtinë–Për herë të parë që kur u dekretua ambasador i SHBA-së në Kosovë, Cristopher Dell ka folur hapur dhe siç është deklaruar edhe vetë “seriozisht” për korrupsioni në Kosovë.

Gjatë ceremonisë së dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ri të Kosovës, ai ka hedhur vrerin e zi mbi gjithë spektrin politik e shoqëror të vendit për të cilët ka thënë se janë të zhytur në korrupsion. Sipas Dell të gjithë po flasin për korrupsionin por askush nuk e lufton atë.

“Qëndrimi ndaj korrupsionit duhet të ndryshojë. Nuk mund të qëndrojë botëkuptimi se është korrupsion vetëm kur e bën dikush tjetër. Të gjithë anëtarët e partive politike bëjnë me gisht nga njëri tjetri duke thënë se ata janë të korruptuarit. Por, disa prej tyre që bëjnë me gisht janë po aq të gatshëm të mbushin kutitë e votimit, t’ua gjejnë anëtarëve të familjeve të tyre ndonjë vend të mirë pune në qeveri dhe t’ua mundësojnë miqve të tyre marrjen e kontratave të leverdishme afariste kur kjo gjë është në interesin e tyre,” deklaroi Dell.

Ai nuk e përjashtoj asnjë parti nga ky pohim duke akuzuar edhe medie si të papërgjegjshme. Krejt kjo sipas Dellit po ndikon në fundosjen e Kosovës ekonomikisht pasi që asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte që të investojë në një vend ku korrupsioni po bënë kërdi. Ndërkohë presidentja e vendit ka dhënë garancinë e saj se në Kosovë do të respektohen ligjet dhe Kushtetua ndërsa u ka bërë apel të 56 certifikuarve për gjyqtare e prokurorë që mikun e vetëm të tyre ta kenë ligji dhe kushtetutën.