Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 08:06

Duke folur për iniciativën e presidentes Jahjaga për ta dërguar Marrëveshjen e Asociacionit për Komuna me shumicë serbe në Kushtetuese, Deda tha se kjo marrëveshje do të ishte më mirë të dërgohej në Komisionin e Venecias nga presidentja.

Ai tha se për ta dërguar Marrëveshjen e AKS-së në Kushtetuese, presidentja duhet të kishte së pari pajtimin e partive të pozitës dhe opozitës.

Deda në vazhdim foli edhe për krizën politike në vend, për të cilën fajësoi partitë qeveritare, siç tha ai, ato janë shumicë dhe pasi që përfaqësojnë shumicën e popullit duhet të marrin hapa pajtues e jo të sillen me arrogancë, e cila, sipas tij mund të sjell një konflikt ndërshqiptar.

“Inatet nuk kanë vend në politikë dhe se inatet nga qeveritarët po ndodhë nga frika që kanë”, tha Deda.

Deda në emisionin Interativ të KTV-së, foli për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe zhvillimet në Komisionin për Integrime në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se nënshkrimi i MSA-së është hap i rëndësishëm, që nuk mund të zhvlerësohet si marrëveshje kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Mirëpo sipas Dedës, nuk mund të filloj procesi i integrimit ngaqë nuk na njohin pesë shtete të BE-së, por me këtë MSA, merr obligim integrimin e Kosovës dhe e obligon Kosovën për dialog me Serbinë, transmeton Koha.net.

“Kosova do të merr statusin e vendit kandidat për integrim në BE, kur Serbia të pranohet ne Bashkim Evropian”, tha Deda në atë se çka ka dëgjuar.

Deda shtoi se duhet ndjekur një ide e prezantuar më herët nga ish-ambasadori Lulzim Peci: “Kosova të bëhet më evropiane duke e zgjidhur çdo problem me Serbinë në bazë të legjislacionit evropian”.

“Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk e ka nënshkruar MSA-në me fusnotë”, potencoi Deda, duke thënë se ky nënshkrim nuk do të thotë njohje nga BE-ja e njeh Kosovën si shtet.

Më pas Deda foli edhe për situatën brenda Komisionit për Integrime, sot në Kuvendin e Kosovës.

“Unë mendova që mbledhja duhet të jetë konsultative dhe të planifikojmë për mbledhjen tjetër, dhe Vjosa Osmani tha se duhet të merr pjesë edhe Zhbogar dhe të na informoj për këtë MSA që dallon nga ajo e para dy muajve”, tha Deda.

Lëshimin nga mbledhja, Deda tha se e bëri pasi e pa që pa të nuk ka kuorum dhe e ka lëshuar sepse nuk është pajtuar me vazhdimin e mbledhjes.