Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 23:01

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti Guvernatorin Howard Dean, kandidat për president në vitin 2004 në SHBA dhe Guvernator për gjashtë mandate.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Guvernatori Dean tha se “shqiptarët janë një popull plot energji. Nga miq të mi kam dëgjuar se ndryshimet në vend kanë qenë shumë të mëdha”.
Kryetarja e Kuvendit tha se është pikërisht kjo energji e shqiptarëve që bëri të ecim kaq përpara, duke konsideruar qe vetëm 20 vite më parë vendi doli nga një prej diktaturave më të egra.
Guvernatori Dean vlerësoi hapat e bëra nga institucionet shqiptare për afrimin me BE-në, duke nënvizuar se “tashmë është e qartë për BE-në se Ballkani duhet të jetë pjesë e tij”.
Kryetarja e Kuvendit e njohu zotin Dean me ligje të rëndësishme të miratuara në Kuvend, pjesë e reformave thelbësore integruese. Ajo shprehu keqardhjen që disa ligje mbeten ende pa  u miratuar, pasi kërkojnë edhe votën e opozitës, e cila nuk merr pjesë në votime.
Nga ana e tij Guvernatori Dean e cilësoi si jashtëzakonisht pozitiv faktin që komisione parlamentare të rëndësishme drejtohen nga opozita.
Por, theksoi ai, “një situatë e tillë ku opozita nuk merr pjesë në votime, e bën  shumë të vështirë ndërmarrjen e reformave. Mosmarrëveshjet politike, debatet, këndvështrimet e ndryshme mes forcave politike ekzistojnë në çdo vend, por kur është fjala për interesa kombëtare ato tejkalohen”.
Kryetarja e Kuvendit dhe Guvernatori Dean biseduan gjerësisht edhe mbi pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve në procest e politikbërjes. Kryetarja e Kuvendit tha se energjia e madhe e të rinjve është bazë e ecjes përpara dhe pjesëmarrja e tyre shumë e madhe në zgjedhjet e 8 Majit tregon për një nivel shumë të lartë të ndërgjegjësimit të tyre për peshën e madhe dhe rolin që mund dhe duhet të luajnë në vendimmarrje të mëdha.