Lajme Shqip Monday, 29 July 2013 09:48

Korçë – Të paktën 5 mjekë dhe infermierë të spitalit rajonal në Korçë janë dhunuar mëngjesin e kësaj të hëne. Rasti i paprecedent është regjistruar në repartin e Urgjencës në Korçë, ku stafi i mjekëve është përballur me agresorët e dehur, të cilët ktheheshin nga një dasmë.

Mësohet se një grup prej katër personash janë paraqitur në repartin e Urgjencës rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm dhe kanë kërkuar fillimisht ndihmë mjekësore, por më pas për arsye të paqarta kanë goditur me shkelma dhe grushte bluzat e bardha, duke mos kursyer edhe dëmtimin e disa pajisjeve.

Mjekët e urgjencës të spitalit të Korçës thonë se janë kërcënuar edhe me jetë nga agresorët. Ngjarja ka terrorizuar edhe pacientët e shtruar në këtë repart si dhe të afërmit e tyre.

Pas denoncimit të bërë nga mjekët e spitalit të Korçës, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka mundur të shoqërojë dy nga agresorët ndërsa po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.