Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 14:53

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe anëtarët tjerë të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, janë sot [e enjte] në Lubjanë dhe pritet që sonte të udhëtojnë drejt Brukselit për të vazhduar bisedimet me palën serbe, të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.

Këshilltari i lartë i kryeministri të Kosovës, Bekim Çollaku, i cili është pjesë e delegacionit tha për Radion Evropa e Lirë se raundi i ri i bisedimeve do të mbahet nesër. “Do të kthehemi dhe do të vazhdojmë raundin e ri të negociatave. Raundi i ri i dialogut mbahet nesër”, tha Çollaku.

Lajmin për kthimin e delegacionit të Kosovës në Bruksel fillimisht e ka konfirmuar zyra për informim e qeverisë së Kosovës, përmes një komunikatë. Vendimi për t’u kthyer në Bruksel ka pasuar kërkesën e zonjës Ashton, thuhet në komunikatë. “Delegacioni shtetëror i Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, do të vazhdojë angazhimin për arritjen e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe të proceseve integruese për të gjitha shtetet e rajonit”, thuhet në kumtesën e qeverisë.

Tash për tash nuk ka ndonjë njoftim nga Beogradi zyrtar. Delegacioni serb, i prirë nga kryeministri Ivica Daçiq, ka akuzuar Prishtinën zyrtare se po pengon arritjen e marrëveshjes. Ndryshe, zonja Ashton sot gjendet në Bosnjë, kurse në orët e pasdites niset për në Kroaci.Vizita në Zagreb përfundon me një takim që zonja Ashton do të zhvillojë në orët e mëngjesit të së premtes. 

Takimi i nesërm do të jetë raundi i dhjetë me radhë ndërmjet dy kryeministrave, të cilët të mërkurën i dhanë fund raundit të nëntë, pa pajtueshmëri të plotë mbi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.(REL/LajmeShqip.com)