Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 10:56

E plotësuar: Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve, tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se MSA-ja paraqet hapin e parë dhe të rëndësishëm drejt integrimit në BE. Ai tha se MSA-ja në çdo aspekt është e ngjashme me marrëveshjet që kanë shkruar vendet e rajonit.

Ministri Çollaku tha se si rezultat i kësaj marrëveshje fati i Kosovës me BE do të jetë i lidhur më ngushtë,

Ai tha se kanë zbatuar kritere dhe reforma të shumta, por nga ky moment e tutje reformat do të bëhen me qëllim të qartë.

“Vlerat e BE-së janë vlera që qytetarët e Kosovës i kanë përqafuar me kohë”, tha Çollaku, transmeton Telegrafi.

Ai tha se MSA-ja në çdo aspekt është e ngjashme me marrëveshjet që kanë shkruar vendet e rajonit, por po ashtu tha se rasti i Kosovës është i veçantë, duke ditur se pesë vende të BE-së e nuk e kanë njohur Kosovën.

Ministri Çollaku tha se pavarësisht që këto pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën, ato kanë treguar konstruktivitet në këtë drejtim.

“Nga këndvështrimi ligjor MSA-ja për Kosovën ka bazë ligjore të njëjtë si me vendet e rajonit. Republika e Kosovës ka marr përsipër përafrimin e legjislacionit të BE-së në këtë fazë dhe fazat tjera”, tha ai.

Komisioni për Integrime: Të shtohet fjala ‘Republikë’

Teuta Sahatqija, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, tha se Komisioni ka propozuar një amendament ku kërkohet që në Projektligjin për ratifikimin e MSA-së, të shtohet fjala ‘Republika e Kosovës’ pasi Projektligji miratohet në Kuvendin e Kosovës, por nuk e prek dokumentin e MSA-së.