Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 11:13

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka pritur sot në takim drejtorin politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Austrisë, ambasadorin Jan Kickert, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për procesin e integrimit evropian.

Ministri Çollaku, e ka njoftuar ambasadorin Kickert për hapat që kanë ndërmarr institucionet e Republikës së Kosovës drejt plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave duke thënë se pret që brenda këtij viti të ketë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian lidhur me këtë proces.

Po ashtu ka theksuar se Kosova është e gatshme për ta nënshkruar edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit sa më shpjet dhe të filloj zbatimin e saj në vitin 2016.

Më tej kanë biseduar edhe për përgatitjet për Samitin e Vjenës që mbahet më 27-29 gusht ku vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i drejtohen BE-së me projekte të përbashkëta rajonale të cilat pritet të financohen nga BE-ja. Lidhur me këtë ministri Çollaku e ka informuar Kickert se Kosova në koordinim me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor është e gatshme për prezantimin e projekteve infrastrukturore nacionale të cilat kanë edhe karakter rajonal.

Për më tepër, ministri Çollaku theksoj se sot ka thirrur në cilësinë e bashkë kryesuesit takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Investime ku do të diskutohet lista e projekteve prioritare sektoriale.

Ndërkaq drejtori politik në MPJ-në e Austrisë, ambasadorin Jan Kickert, theksoi se Austria mbështet fuqishëm Kosovën për nënshkrimin e MSA-së dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen se Samiti i Vjenës do të shërbej si platformë për të konfirmuar forcimin e bashkëpunimit përmes projekteve infrastrukturore të cilat do të ndikojnë në zhvillimin socio-ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu ambasadori nënvizoi se misioni vlerësues për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave që ishte në Kosovë është ndarë i inkurajuar me zbatimin kritereve teknike duke konfirmuar mbështetjen e Austrisë për përmbylljen e këtij procesi.