Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 12:01

Prishtinë – Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku thotë se atmosfera e zymtë në BE sa i përket liberalizmit të vizave nuk e dekurajon Kosovën. Sipas saj, autoritetet janë të vetëdijshme për kriteret rigoroze europiane në këtë proces. Çitaku thotë se marrëveshja eventuale me Serbinë, nuk ndikon pozitivisht në liberalizimin e vizave.

Autoritetet kosovare nuk presin që Bashkimi Europian të liberalizojë vizat për kosovarët si dhuratë për shkak të dialogut me Serbinë.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku tha se proceset janë të ndara. Ndonëse Kosovës i është vënë kusht për integrime europiane normalizimi i raporteve me shtetin serb.

“Këto janë procese të ndara. Nga dialogu me Serbinë ne presim vetëm normalizimin e raporteve mes dy shteteve tona kusht ky për integrimin europian po ashtu”, tha Çitaku të mërkurën për Express.

Çitaku po ashtu tha se nuk i druhen deklaratave të zyrtarëve europianë të cilët flasin për atmosferë të zymtë në BE rreth liberalizmit të vizave për Kosovën.

Rreth kësaj cështjete së fundi foi parlamentarja europiane, Tanja Fajon.

Por, deklaratat e Fajon për Ministren Çitaku nuk duken dekurajuese ani pse Kosova është shteti i fundit në Ballkanin Perëndimor me regjim të vizave si dhe me një numër më të madh të kritereve, për dallim prej vendeve të rajonit, për këtë proces.

“Ne nuk e shohim këtë si diçka të drejtuar kundër Kosovës por si një proces që bazohet në mësimet e marra, mësimet dhe pësimet që BE ka marrë nga procesi i liberalizimit të vizave me vendet e rajonit e të cilat janë shndërruar në kritere për Kosovën”, tha ministrja.

“Po ashtu ju e dini që ka edhe vende në BE që mendojnë dhe kërkojnë që të rivendoset regjimi i vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Mirëpo neve këto deklarata nuk na dekurajojnë ne duhet të kryejmë punët tona dhe vetëm pasi t’i kemi kryer të gjitha punët tona do të jemi në gjendje të kërkojmë të njëjtën edhe nga BE’ja”, shtoi Çitaku.

E deri të kërkimi për liberalizimin e vizave Kosova duhet t’i plotësojë shumë rekomandime të cilat së fundit KE i ka bërë të qartë për autoritete e shtetit.

Ndër to në mënyrë rigoroze përmendet nevoja për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik, si dhe çështja e riatdhesimit dhe riintegrimit.

Deputetja sllovene Fajon problem tjetër e ka përmend shtimin e numrit të azilkërkuesve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor por edhe nga e tërë bota.

Sipas saj, Gjermania dhe disa vende të tjera së fundi e kanë rritur edhe më shumë presionin ndaj vendeve të tjera të BE’së dhe Parlamentit Europian për të suspenduar përkohësisht udhëtimin pa viza për qytetarët e disa vendeve të rajonit Ballkanik.

E, një situatë e tillë sipas eurodeputetes nuk i ndihmon aspak përpjekjet e Prishtinës për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ajo po ashtu ka pranuar se aktualisht Kosova është shumë prapa në plotësimin e kushteve për këtë proces. “Është tjetër të miratosh çështje në letër, sepse pastaj duhet t’i zbatosh ato në praktikë dhe unë mendoj se këtu ka një zbrazëti e madhe”, ka thënë Fajon. Për këtë të vetëdijshëm duken edhe autoritetet kosovare.

“Është e qartë që BE është shumë rigoroze tani lidhur me liberalizimin e vizave e kjo mund të shihet edhe nga numri i kritereve që i janë parashtruar Kosovës në raport me kriteret që kanë vendet e tjera të rajonit”, tha ministrja Çitaku.

Ndryshe, Kosova ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin vizave qysh në qershor të vitit të kaluar.(GE/LajmeShqip.com)