Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 12:25

Beograd – (E plotësuar) – Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, e cila po merr pjesë në seminarin për integrime evropiane në Beograd, tha sot që ka shumë kujtime të hidhura për Beogradin nga e kaluara, sepse i ka shkaktuar shumë të këqija popullit shqiptar të Kosovës, por shtoi se nuk do që të kthehet në atë periudhë dhe dëshiron që gjenerata e saj t’i kthehet një të ardhme më të lumtur në paqe e pa konflikte, ndonëse e kaluara nuk mund të shlyhet lehtë.

Çitaku tha se Kosova e meriton t’i fillojë negociatat për MSA-në dhe e mbështet rrugën evropiane të Serbisë. “Njerëzit në Kosovë dhe rajon e dinë shumë mirë çka mund të prodhojë një Serbi anti-evropiane”, theksoi Çitaku.

Por, Serbia duhet ta ketë të qartë se me Kosovën duhet të jetë partnere e barabartë në çdo fushë, dhe të harrojë përgjithmonë se Kosova mund të kthehet sërish si pjesë e saj. “Kosova asnjëherë më, po e përsëris, asnjëherë nuk do jetë më pjesë e Serbisë”. 

Sipas Dushan Janjiqit, organizatorit të këtij seminari, raporti i Catherine Asjton lidhur me progresin e Serbisë do të jetë pozitiv dhe se këtij vendi më 28 qershor do t’i hapet rruga e negociatave për anëtarësim në BE.  Ai ftoi subjektet politike serbe që të përgatiten për zgjedhjet lokale në Kosovë, duke shtuar se në ato zgjedhje kanë shans të ndërtojnë një autonomi rajonale.

Ministrja Çitaku pas dite është takuar edhe me korin diplomatik në Beograd.

Vizita e ministres kosovare në Beograd, ndonëse pa asnjë takim me qeveritarë serbë, ka marrë vëmendjen e të gjitha medieve kryesore serbe. Një numër i madh i gazetarëve i kanë bërë pyetje të ndryshme ministres, ndërsa në fund e kanë duartrokitur për paraqitjen e saj.

 

 

Çitaku: Marrëveshja, mundësi unike për normalizim raportesh

 

 Marrëveshja e 19 prillit ofron mundësi unike për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, theksoi Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane në seminarin për integrimet që po i zhvillon punimet në Beograd. Çitaku shtoi se tashti është e nevojshme që të tejkalohet barriera mentale, në mënyrë që të mos e shikojmë njëri-tjetrin si armiq, por si fqinj. 

Si një nga panelistët e këtij seminari, Çitaku tha se procesi i normalizimit të raporteve ndërmjet Beogradit  e Prishtinës është i komplikuar dhe stresues, nevojitet durim, besim i fuqishëm dhe përkushtim personal. 

Çitaku tha se kryeministrat Daçiq dhe Thaçi kanë shpenzuar mbi 100 orë për të arritur deri te zgjidhja për disa gjëra të rëndësishme, por shtoi se zbatimi i marrëveshjes kërkon kujdes të përhershëm të pjesëmarrësve në atë proces, sepse është sikur një bimë që kërkon shumë vaditje dhe kujdes para se të fillojë të sjellë fryte, raporton koha. 

Bashkë me Vlora Çitakun, në këtë seminar që e organizon Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, po qëndron edhe oficeri i ri i Prishtinës në Beograd, Valdet Sadiku, ambasador i deritashëm i Kosovës në Kroaci, i cili u emërua në këtë post pas dorëheqjes së parevokueshme të Lulzim Pecit. 

Ministrja Çitaku sot është takuar me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Deger, i cili këtë vizitë të ministres kosovare në Beograd e ka quajtur historike. Çitaku, ndërkaq, ka thënë se jeta ka plot momente historike, duke theksuar se ajo ka ardhur për normalitet”.  

 

Çitaku ligjëron në Beograd

 

Beograd – Ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane Vlora Çitaku merr t pjesë në konferencën e organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Drejtori i këtij forumi, Dushan Janjiq tha për mediat se temat e diskutimeve do të jenë integrimet evropiane dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithçka është planifikuar në atë mënyrë, që ne bashkërisht të mbajmë një ligjeratë”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, formati i diskutimeve në këtë konferencë do të jetë sipas formulës Gimnych, ku pjesëmarrësit përfaqësohen vetëm me emra e mbiemra, e jo me titujt e tyre institucional.

Ministrja Çitaku ka udhëtuar mbrëmë nga Prishtina për në Beograd./Koha/LSH/