Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 15:41

Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë po vijojnë imtësisht hetimet për zbardhjen e identitetit dhe kapjen e dy autorëve që kryen atentatin mafioz në zemër të kryeqytetit, duke ekzekutuar biznesmenin Artan Santo. 

Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë informacion rreth ngjarjes, që të bashkëpunojnë me autoritetet për identifikimin e autorëve, duke theksuar se policia ka vendosur një shpërblim prej 100 mijë eurosh për informatorët e vlefshëm. 

Kreu i Policisë së Tiranës theksoi se policia nuk kishte asnjë informacion për ndonjë problem të mundshëm të biznesmenit Artan Santo, që mund ti rrezikonte atij jetën. 

“Po hetojmë intensivisht gjithë aktivitetin e viktimës. Ngjarja ka qenë e parapërgatitur dhe e mirë menduar nga autorët. Nuk ka pasur asnjë problem dhe nuk ka pasur njoftime se mund të rrezikohej jeta e tij”, deklaron Çipa.