Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 12:57

Mijëra vetë në Mal të Zi protestojnë kundër anëtarësimit në NATO dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Djukanoviç

Asnjë politikan evropian nuk qeveris më gjatë se Milo Djukanoviç, madje ai qeveris më gjatë se pushtetmbajtësi bjellorus, Lukashenko. Me përjashtim të dy ndërprerjeve të shkurtra, Djukanoviç është nga viti 1991 ose kryeministër ose president i vendit të vogël buzë Adriatikut me vetëm 600.000 banorë.

Kundërshtarë, nga të gjitha shtresat

Në vizitën e tij të fundit sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, lëvdoi përparimet e Malit të Zi dhe u shpreh se deri në fund të vitit do të jetë vendosur nëse NATO-ja i jep Malit të Zi dritën e gjelbër për anëtarësimin. Ekspertët e shohin këtë si një vendim të sigurt. Më pak e sigurt është nëse Qeveria gëzon mbështetjen e popullsisë për këtë vendim.

Sipas sondazheve, përkrahësit dhe kundërshtarët e anëtarësimit bëjnë një garë kokë më kokë, kjo në varësi të asaj se kush e ka porositur sondazhin. “Një pjesë e kundërshtarëve e argumentojnë refuzimin e tyre me intervenimin e NATO-s në Serbi dhe Mal të Zi në 1999-n”, thotë Milica Kovaçeviç, nga Qendra për Tranzicionin Demokratik. Por, ekspertja është e mendimit se gjithnjë e më shumë qytetarë mendojnë në mënyrë “racionale“ për aleancën e NATO-s, transmeton gazeta Zëri.

Për disa javë qindra opozitarë qëndruan në një kamp me çadra në kryeqytetin Podgoricë jo vetëm për shkak të kontestimit të anëtarësimit në NATO. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Djukanoviç, qeveri të përkohshme dhe zgjedhje të reja. Protestuesit ishin të përzierë: përkrahës të aleancës opozitare, Fronti Demokratik, përfaqësues nga shoqëria civile, si edhe klerikë serbë-ortodoksë që e refuzojnë largimin e Malit të Zi nga Beogradi. Fundjavën e fundit situata u shkallëzua, kur Policia hoqi çadrat. Aksioni protestues vazhdoi edhe në fundjavë me moton: “I gjithë Mali i Zi në Podgoricë”.

Marko Milaçiç, kreu i Lëvizjes së Neutralitetit – një organizatë joqeveritare, është krah protestuesve kundër anëtarësimit në NATO. Sipas tij, “tani, kur po afrohet vendimi për marrjen ose jo të ftesës për në NATO duket qartë. Qeveria dhe mediet e kontrolluara prej saj po përpiqen fort të bindin opinionin për avantazhet e hyrjes në NATO”.

Revoltë kundër gjendjes së vështirë

Ndërkohë kreu i Qeverisë, Djukanoviç, shikon pas protestave qarqe “serbomadhe” dhe klerike pas. Qëllimi i vërtetë i opozitës është marrja në mënyrë jodemokratike e pushtetit dhe pengimi i afrimit të vendit me Perëndimin, u shpreh kryeministri në një intervistë për televizionin. Sipas tij, organizatorët e protestës gëzojnë mbështetjen e Kremlinit, që nuk e do forcimin e NATO-s në Ballkan.

Por kritikët thonë se Djukanoviç e thjeshtëzon shumë gjendjen me këto argumente. Shumica e qytetarëve nuk shohin si problem kryesor orientimin gjeopolitik të Malit të Zi, por mjerimin ekonomik, korrupsionin dhe shpërndarjen e vendeve të punës në administratën publike sipas oreksit të partisë qeverisëse.

Shoqëri e ndarë

Një sërë aferash, arrogancë dhe “një hajdutëri e shëmtuar” e kanë dobësuar Qeverinë mendon shkrimtari i njohur malazez Andrej Nikolaidis. Por protestat aktuale ai i sheh, ashtu si Djukanoviçi, si një përpjekje për të dështuar anëtarësimin. “Anëtarësimi në NATO do të thoshte dalje nga influenca serbe dhe ruse. Kjo nënkupton një kthesë radikale civilizuese, politike dhe kulturore”, shkruan Nikolaidis në një opinion tij për një portal online.

Opinionisti Blagoje Grahovac mendon ndryshe. Ish-gjenerali mendon se protestat nuk duhen reduktuar me dilemën e NATO-s. “Për shumicën e qytetarëve Milo Djukanoviç është simboli i fundosjes së plotë. Për një pjesë tjetër simbol i suksesit të plotë, shpresa dhe krenaria e tyre. Mali i Zi është mbërthyer në dy ekstreme: Pro ose kundër Djukanoviçit. Qytetarët janë të përçarë”, shkruan Grahovac në gazetën kritike “Vijesti”.