Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 14:26

Tiranë – Në Gjykatën e Lartë u zhvillua sot seanca e parë për çështjen penale ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, i akuzuar për korrupsion.

Duke folur në seancë, Petrit Serjani, përfaqesues ligjor i Metës, kërkoi që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorise ndaj zotit Meta me pretendimin se janë të kundraligjshme.

Sipas tij, prokuroria ka realizuar hetime ndaj Metës që në kohen kur ai ishte me imunitet si deputet në  Kuvendin e Shqiperisë.  “Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit”, tha avokati.

Avokati Serjani kërkoi papërdorshmërinë e videos Meta -Prifti, me argumentimin se është siguruar në rrugë të kundraligjëshme. Ndërkohë që, të papërdorëshme u konsideruan nga mbrojtesi ligjor edhe deklarimet e ish- ministrit te Ekonomisë, Dritan Prifti, si autori i video-s kundër zotit Meta.

Pas prezantimit te kërkesave të mbrojtjes, përfaqësuesi i Prokurorisë se Pergjithshme, Bujar Sheshi, kërkoi kohë që të njihet hollësisht me to, për të shfaqur me pas qëndrimin e prokurorise.

Me ketë  zhvillim, Gjykata vendosi të shtyjë seancen në daten 27 qershor 2011.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta  është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehte kundër tij,  ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Vete zoti Meta e ka cilësuar videon si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.