|
|
e Enjëte, 05 Korrik 2012 12:53 Prishtinë – Hetuesit e FBI-së kanë mbërritur sot në Kosovë, dhe kanë nisur të hetojnë vdekjen e Dino Asanajt, ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili u gjet i therur me thikë në 14 qershor.
Lajmi konfirmohet nga ambasada amerikane për të përditshmen Express, e cila raporton se ekspertët amerikanë kanë shkuar në Departamentin për Mjekësi Ligjore ku kanë marrë raportin e autopsisë, prova dhe ekzaminime tjera në lidhje me rastin.
“Ambasada amerikane konfirmon që hetuesit në fjalë janë në Kosovë dhe janë duke kryer punën konform kërkesës që u është bërë”, kanë thënë për Express zyrtarë të sektorit për marrëdhënie me publikun pranë Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë. Kështu ekspertët e FBI-së pritet ti japin përgjigje rrethanave të vdekjes së Dino Asanaj dhe mbi të gjitha të zbulojnë nëse ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit u vra apo vetëvra. (LajmeShqip.com)