Lajme Shqip Saturday, 18 July 2015 08:00

Lirak Çelaj, kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit dhe Vetëvendosjes në kryeqytet pas bllokimit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të ndërmarrjeve publike.

Ai thotë se Ahmeti dhe VV e kanë lutur për marrëveshje për të zgjedhur këta anëtarë deri para dy javësh, por, sipas Çelajt, PDK nuk bie poshtë në këto pazare politike të një kryetari nga i cili janë zhgënjyer qytetarët.

Çelaj ka përsëritur qëndrimin e tij se Shpend Ahmeti ka fituar zgjedhjet falë votuesve të PDK-së. Numri një i PDK-së në Prishtinë thotë se Ahmeti dhe anëtarët e VV-së në Prishtinë thonë se Kryesia qendrore e partisë nuk ka lejuar që të hyjnë në koalicion me PDK-në.

“E dini që Shpend Ahmeti ka fituar falë përkrahjes së votuesve të PDK-së, është matematikë e thjeshtë. Kemi besuar dhe besojmë që ka pas nevojë të ketë ndryshime në Prishtinë. Do të ishte hipokrizi të votonim për Mustafën. Pasi u themelua kuvendi u rreshtuam pro ndryshimeve. Së bashku me VV-në themeluam kryesitë e ndërmarrjeve. Ata për një vit nuk arritën të ndryshonin anëtarët e bordit. Kur u krijua VLAN-i ata stopuan procesin. Duke parë stagnimin e Prishtinës, s’mund të ishim indiferentë. Pamë se jo që po ka ndryshim për të mirë por po ecim prapa, dhe ne u shprehëm haptas duke kundërshtuar mënyrën e qeverisjes së Ahmetit”, ka thënë Çelaj.

“Kemi pasur vazhdimisht bisedime me Vetëvendosjen deri para dy javësh. Ata donin vetëm marrëveshje për ndërmarrje publike. Por u kemi thënë nëse doni marrëveshje duam marrëveshje në të gjitha përgjegjësitë në raport me qytetin, që nga kryesia e te poshtë. Ata thanë se niveli qendror i partisë është kundër dhe është shqetësuese. Kjo po i bie që Prishtina po sakrifikohet për nivelin qendror të Vetëvendosjes”, ka shtuar më tej ai.

Sipas tij, njëjtë ka ndodhur edhe më parë, kur Mustafa ishte i fokusuar për opozitarizëm për Hashim Thaçi dhe la anash Prishtinën. 
“Të hënën e kaluar kemi pas takim dhe u kemi thënë jo nëse hyjmë vetëm për ndërmarrjet publike. Ata vazhdimisht na kanë lut dhe kanë thanë për qejf do hyjmë në koalicion por nuk na lejon niveli qendror i partisë. Na kanë ofruar edhe drejtori shkollash, por nuk kemi pranuar pazare të tilla. Pas kësaj kanë vazhduar shpifjet ndaj meje. Kam vendosur të ngreh padi civile ndaj tyre”, ka thënë Çelaj në Interaktiv të KTV-së.

Çelaj ka akuzuar Vetëvendosjen për thashetheme dhe fjalë kundër tij. Ai thotë se nuk ka ndikuar asnjëherë në sistem të drejtësisë për vendimin e Agjencionit Kundërkorrupsion për të rrëzuar kërkesën e Ahmetit që thoshte se përzgjedhje e anëtarëve të bordit ishte e kundërligjshme sepse kishte konflikt interesi.

“Për Ahmetin ishte e kundërligjshme përzgjedhja e dy anëtarëve nga PDK-ja sepse, sipas tij, disa asamblistë kishin konflikt interesi. Agjencioni kundërkorrupsion ka deklaruar se s’ka asgjë të kundërligjshme. Masa e përkohshme ishte për shkak të kohës më të gjatë për të trajtuar argumentet më mirë. Mendoj se po na dëmtojnë shumë me shpifje dhe mendoj se kështu nuk qeveriset. Qytetarët po e shohin punën e Shpend Ahmetit dhe janë shumë të zhgënjyer. Vetë fakti që Shpendi thotë se është blloku procesi po tregon se ka dështuar. Ata vazhdimisht përdorin emra të përveçëm. Po harrojnë që janë në pozitë”, ka shtuar Çelaj.

Ai ka punësuar të gjithë kandidatët e dështuar të komunave tjera. “Kandidatja e Gjakovës, ai i Klinës. Shkelje e ligjit është kjo. Pse erdh burri i Albulena Haxhiut. A janë këta aktivistë të VV-së”, ka thënë ai.