Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 11:35

TIRANE (plotesuar )- Shefja e diplomacisë Europiane, Catherine Ashton vizitoi sot Tiranën, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Takime me Nishanin, Berishën e Ramën. Në përfundim të takimeve, baronesha Ashton përcolli mesazhin e Brukselit për Shqipërinë, në këto prag zgjedhjesh parlamentare. Ashton denoi retorikat nacionaliste në Shqipëri, thirrje palëve: ‘Kompromisi, çelës për progresin’ 

Në takimin e zbardhur me Presidentin Nishani, Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm. Takime me Berishën dhe Ramën. Vizita e Baroneshës Ashton në Ballkanin Perëndimor është një mesazh i fortë i BE-së për liderët e rajonit të Ballkanit, për tu fokusuar në reformat e nevojshme për integrimin në BE.

BERISHA-BARONESHES: INTEGRIMI PROJEKTI MË MADHOR, ZGJEDHJET KONFORM STANDARTEVE
Ora 16:35- Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Zëvendës/presidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë e Bashkimi Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, baroneshën Catherine Ashton. Takimi mes tyre është zbardhur nga zyra e shtypit të kryeministrisë. 

Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e parë të baroneshës Ashton si një vizitë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe një kontribut i çmuar në marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe një shprehje e qartë e angazhimit dhe mbështetjes së BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE. 

Baronesha Ashton e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i pohuar se edhe për të është një kënaqësi e veçantë që ndodhet sot në Shqipëri. “Kam dashur të vija edhe më parë në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe jam sot, këtu, për t’ju shprehur drejtpërsëdrejti juve zoti Kryeministër, vendosmërinë e BE-së dhe timen personalisht, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Shqipërisë është e mbetet Bashkimi Europian,”- u shpreh zonja Ashton. Në përgjigjen e tij, Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Ashton se për të dhe për qeverinë shqiptare, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, marrja e statusit të vendit kandidat dhe të gjitha hapat e tjera të lidhura me këtë proces janë dhe mbeten prioritet absolut i punës së qeverisë dhe i programit të Partisë Demokratike dhe koalicionit për katër vitet e ardhshme, si projekti më madhor dhe si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e qytetarëve shqiptarë. 

Në takim u vlerësuan reformat, përpjekjet dhe arritjet e rëndësishme të kësaj periudhe në rrugën e integrimit. Kryeministri Berisha vlerësoi e shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen, ndihmën financiare e të gjithanshme që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të falenderuar zonjën Ashton edhe për kontributin e saj thelbësor e jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e negociatave midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të cilat Kryeministri i cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm për marrëdhëniet bilaterale midis këtyre dy vendeve, por edhe për paqe e stabilitet të qëndrueshëm të të gjithë rajonit. 

Berisha ndër të tjera, e siguroi zonjën Ashton se qeveria shqiptare është e vendosur që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, konform standardeve ndërkombëtare. “Korniza ligjore, e përmirësuar mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe e bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës, sistemi i saktë dhe transparent i numërimit, si dhe rritja e numrit të qendrave të votimit dhe numërimit, për shkurtimin drastik të kohës së votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve janë garanci solide, e padiskutueshme, për një proces zgjedhor konform të gjitha standardeve ndërkombëtare. Ruajtja e parimit themelor të Kodit Zgjedhor të balancimit të KQZ-së dhe komisioneve të tjera dhe integritetit të anëtarëve të KQZ-së dhe administratës zgjedhore është një garanci vendimtare për një proces në përputhje me ligjin, që siguron besimin e të gjitha palëve”, tha Berisha
Më tej, në takim u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha i rikujtoi baroneshës Ashton vendosmërinë e Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, për të vijuar rolin e moderuar e të dedikuar ndaj promovimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë aspekt, Berisha vlerësoi rolin e baroneshës Ashton dhe BE-së në shërbim të nxitjes së bashkëpunimit rajonal e integrimit të vendeve të tij. Kryeministri Berisha theksoi se çlirimi prej paragjykimeve të çdo lloji do të ishte shërbimi më i mirë që do t’i bëhej marrëdhënieve midis këtyre vendeve, si dhe ecurisë së projektit të përbashkët të integrimit europian dhe atyre rajonal.

ASHTON: KUJDES ZGJEDHJET, TEST PËR SHQIPËRINË. SHQETËSUES VOTIMI DJE NË PARLAMENT
Ora 13:35-
Ashton gjatë një konference për shtyp bëri të ditur konkluzionet e takimeve që kreu sot me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama. 

Në përfundim të takimeve, baronesha Ashton përcolli mesazhin e Brukselit për Shqipërinë, në këto prag zgjedhjesh parlamentare. Baronesha theksoi se BE po ndjek me vëmendje çdo zhvillim në përgatitjen e procesit zgjedhor ndërsa garantoi se ndërkombëtarët do monitorojnë procesin zgjedhor.

“Jam vërtet e lumtur që gjendem në Tiranë për këtë vizitë, sapo jam takuar me Z.Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, z Edi Rama, me të cilët pata diskutime të rëndësishme.
Vizita ime në Shqipëri ndodh sot një ditë pas diskutimeve të nxehta në parlament për përgatitjen e zgjedhjeve, ju kemi ndjekur me vëmendje dhe sot unë e kam bërë pozitën time të qartë në të gjitha palët.
Për BE është e një rëndësie thelbësore që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të jenë në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare. Ky do jetë test për integrimin e mëtejshëm në BE.
Dje ne shprehëm publikisht shqetësim tonë për pasojat e mundshme të votimit në Kuvend, tek besimi në procesin zgjedhor, se është detyrë e institucioneve që të krijohet besim në këtë proces, duhet të ketë besim në këtë proces.
BE është i angazhuar për të monitoruar dhe mbështetur një proces të lirë e të ndershëm me standarde europiane dhe ndërkombëtare”.

Më pas Catherine Ashton vlerësoi se progresi është në duart e shqiptarëve por celësi për arritjen e progresit është vetë kompromisi. Ashton uroi që shqiptarët të punojnë për perspektivën europiane pasi mbështetja nga Brukseli nuk mungon.

“Në përgjithësi gjatë viteve të shkuara, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm. Shqipëria është sot një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, i Organizatës për Siguri në Europë si dhe e NATO-s. Po, ashtu BE është vërtet i përkushtuar dhe shumë i përkushtuar në perspektivën europiane të Shqipërise dhe BE dëshiron që Shqipëria të ecë përpara në progres. Por progresi në rrugën drejt BE është në duart tuaja.

Elementet kyç për progres janë një element kyç për gjetjen e kompromiseve.
Ne kemi nevojë të shohim historik të qëndrueshëm veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit e krimin e organizuar, siç është thënë në konkluzionet e KE në dhjetor. Komisionieri Fyle për të cilin kam respekt është tërësisht i angazhuar për t’ju ndihmuar dhe po ashtu ka mbështetjen e plotë nga ana ime”.

Retorikat nacionaliste, Ashton: Shmangini për të mirën e Rajonit
“Më lejoni të them dhe pak fjalë për rolin e Shqipërisë në rajon, rol që e vlerësojmë. Natyrisht që të ruhet ky rol konstruktiv duhet të shmanget diskursioni nacionalist. Lipset që Shqipëria të vazhdojë rolin e vet tradicional konstruktiv në rajon, për stabilizim të rajonit dhe që ky rajon të ecë përpara. Unë kam besim dhe besoj se Shqipëria i ka kapacitetet që të ecë përpara.

Prandaj mesazhi im për ju sot është një mesazh mbështetjeje, por edhe mesazh pritshmërie të lartë dhe si një vend kandidat për në BE duhet të ndërmarrë këto sfida dhe BE është me ju për t’ju ndihmuar”.

PERFUNDON TAKIMI ASHTON – RAMA

Ora 13:30 - Baronesha Catherine Ashton ka përfunduar në orën 13:30 takimet në Tiranë, me presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe shefin e opozitës Edi Rama. Për të dhënë detaje rreth vizitës së saj në Tiranë dhe temat e biseduara në takimet me krerët e shtetit shqiptar, përfaqësuesja e lartë e BE-së doli në një konferencë për mediat.(LajmeShqip.com)

*******************************************************

BRUKSEL (plotësuar)- ASHTON-NISHANIT: POLITIKANET SHQIPTARE TE TREGOHEN TE PERGJEGJSHEM
Ora: 12:54
– Zyra e shtypit e Presidencës zbardhi takimin mes kryetarit të shtetit dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton. Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.

Nga ana e tij Presidenti Nishani garantoi Baroneshën Ashton se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Ai theksoi se sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve. 

Mësohet se një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar. 

“Të dy bashkëbiseduesit ishin në një mendje se, Presidenti i Republikës mund të luajë një rol moderues dhe të përcjellë mesazhe të nevojshme gjatë dhe pas procesit elektoral në përputhje me statusin e tij institucional”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

PERFUNDON TAKIMI ASHTON-BERISHA, NIS TAKIMI ME KREUN E PS-se
Ora 12:30 - Takimi mes kryeministrit Berisha dhe Baroneshës Ashton ka zgjatur rreth një orë. Kryediplomatja e BE-së u nis drejt selisë rozë për të zhvilluar takimin e fundit në Tiranë me liderin e opozitës Edi Rama. Më pas pritet konferenca për shtyp e përfaqësueses së lartë të BE-së.

******************************************************

Tiranë (plotësuar)- PERFUNDON TAKIMI ME PRESIDENTIN NISHANI, ASHTON MBERRIN NE KRYEMINISTRI
Ora 11:40 - Ka zgjatur rreth 40 minuta takimi me dyer të mbyllura mes kryediplomates evropiane Catherine Ashton dhe Presidentit të Republikës Bujar Nishani. Momentalisht nuk ka informacione rreth temave që u diskutuan në takimin Nishani-Ashton. Ndërkohë pritet konferenca për shtyp e Baroneshës, ku do të jepen detaje rreth qëllimit të vizitës së saj në Tiranë, si dhe temave që u diskutuan në takimet me krerët e shtetit shqiptar. Baronesha Ashton u nis menjëherë drejt kryeministrisë ku po zhvillon takimin me kryeministrin Berisha.(Lajmeshqip.com)
***************************************************

Tiranë – ASHTON MBERRIN NE PRESIDENCE, NIS TAKIMI ME NISHANIN
Ora 11:00 -
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka mbërritur në Presidencë rreth orës 11:00, ku ka nisur takimin me Presidentin Nishani. Pas takimit me kryetarin e shtetit shqiptar, shefja e diplomacisë evropiane do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin Berisha, në orën 11:40, dhe kryetarin e opozitës Edi Rama, në orën 12:30. Në përfundim të takimeve të parashikuara, Baronesha Ashton do të japë edhe një konferencë për shtyp.

BARONESHA ASHTON NE TIRANE, TAKON NISHANIN, RAMEN DHE BERISHEN
Ora 09:30 - Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë/Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Catherine Ashton, pritet të mbërrijë sot në Tiranë. Lajmi u bë i ditur dy ditë më parë përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Bashkimit Europian, ku thuhet se shefja e diplomacisë europiane do të nisë një vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Fillimisht Ashton do të vizitojë Malin e Zi, më pas Shqipërinë për ta përfunduar vizitën në Maqedoni. “Udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së për perspektivën europiane të këtij rajoni. Do të inkurajoj liderët në rajon për të vazhduar procesin e reformave dhe për të promovuar marrëdhëniet e mira fqinjësore”, – deklaroi Ashton.

Zëdhënësja e Ashton, Koçijançiç zbardhi axhendën e Baroneshës në Tiranë. Mësohet se ajo do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryeministrin Berisha dhe shefin e opozitës Edi Rama. Pas takimeve do të ketë edhe një deklaratë për mediat.

Sipas zëdhënëses Koçijançiç, në fokus të vizitës së Baroneshës Ashton në Ballkan është perspektiva evropiane e rajonit si dhe bashkëpunimi rajonal mes vendeve. 

1. Takim me Presidentin Bujar Nishani në orën 11:00 në Presidencë.
2. Takim me Kryeministrin Sali Berisha në orën 11:40 në Këshillin e Ministrave.
3. Takim me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama në orën 12:30 në Hotel Sheraton.
4. Deklarate për shtyp në orën 13:10 në Hotel Sheraton. (LajmeShqip.com)