Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 19:53

Tiranë – Shoqata atdhetare “Çamëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet denoncoi sot shkeljen e të drejtave të njeriut, të ndodhur vetëm pak ditë më parë në pikëkalimin e Kakavijës ndaj një 72-vjeçari, duke mos e lejuar të hyjë në territorin grek.

Përmes një deklarate për mediat, përfaqësuesit e komunitetit çam në Shqipëri informuan të hënën se 72-vjeçari Iliaz Alimani, lindur në Margëlliç të Gumenicës, nuk u lejua nga oficeri i kufirit të shtetit fqinj të hyjë në Greqi.

Në deklaratë thuhet se në Formularin e Mospranimit të Hyrjes në Kufi, në kundërshtim me detyrimin e tij, polici nuk ka shënuar asnjë prej rasteve të përcaktuara në këtë formular, por me shkrim dore ka shënuar në greqisht “Toponim i papranueshëm”, duke iu referuar vendlindjes së z. Alimani, që është Margëlliç, Gumenicë.

“Asnjë referencë e ligjit shtetëror grek dhe procedurave për apelim, sipas burimeve zyrtare, nuk është shënuar në këtë formular, ndonëse këto referenca janë të detyrueshme sipas Rregullores së Bashkimit Evropian”, theksohet në këtë deklaratë.

Përfaqësuesit e komunitetit çam bënë të ditur gjithashtu se “e njëjta shkelje ka ndodhur edhe ndaj shtetasit Damin Damini pak ditë më parë, duke mos e lejuar atë të hyjë në Greqi, për të njëjtat arsye. Ndërkohë që edhe i biri i tij, gjyqtar në rrethin e Shkodrës, Skënder Damini, është ndaluar me motivacionin se përbën rrezik për rendin publik”.

Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim i ka kërkuar ministrit të  Brendshëm, Bujar Nishani dhe atij të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë të menjëhershme dhe të efektshme, duke tejkaluar atë që pala greke pretendon të jetë “toponim i papranueshëm”.