Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 08:50

Projektbuxheti për vitin 2016 i hartuar nga Qeveria e Kosovës nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por është vetëm për mbijetesë. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e partive opozitare pak ditë pasi ekzekutivi i vendit e miratoi Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, të cilin duhet ta miratojë edhe Kuvendi.

Ky Projektbuxhet që kap shumën e përgjithshme prej rreth 1.6 miliardë euro do të ketë më pak mjete në dispozicion për investime kapitale, në raport me vitet paraprake. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, investimet kapitale marrin pjesë me 27 për qind në buxhetin e përgjithshëm, përkatësisht 463.2 milionë euro, përderisa 22 për qind do të shkojë për pensione, asistencë sociale dhe pagesat e veteranëve të UÇK-së.

Ish-ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, është shprehur se ky Projektbuxhet është vetëm për mbijetesë. Sipas Shatrit, kjo vlerë nuk ndryshon pothuajse asgjë nga ajo e vitit të kaluar. “Vlera e këtij Projektbuxheti është e pahetueshme prej asaj të vitit të kaluar, si nga të hyrat ashtu edhe nga shpenzimet. Me një fjalë ky buxhet është për mbijetesë”, ka thënë Shatri.

Edhe njohësi i qështjeve ekonomike, Labinot Hashani, ka thënë se këto shifra lënë të kuptohet se nuk është bërë asnjë angazhim për të luftuar evazionin fiskal.

Sipas tij, ky projektbuxhet vetëm se zhvillimor nuk mund të quhet.

I pakënaqur me buxhetin është shprehur edhe ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, i cili ka deklaruar se ministria që ai drejton ka 3 milionë euro më pak sesa vitin e kaluar.

Përkundër pakënaqësive me Projektbuxhetin 2016, ministri i Financave, Avdullah Hoti ka kërkuar nga opozita që të qëndrojnë në seancën e Kuvendit të Kosovës për të votuar Projektligjin për vitin e ardhshëm.

Në bazë të procedurave ligjore, fundi i tetori është koha kur Qeveria duhet të miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal, kurse deri në fund të muajit dhjetor duhet të miratohet në Kuvend nga deputetët dhe të nënshkruhet nga Presidentja Jahjaga.

Në mungesë të eventuale të buxhetit të miratuar, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave, në tre muajt e parë, shpenzimet buxhetore mund të realizohen me 1/12 e buxhetit paraprak. / Zëri