Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 08:00

Prishtinë – Marsi i vitit të ardhshëm do ta gjejë sheshin e Pavarësisë “Ibrahim Rugova” të kompletuar. Punimet për rregullimin e kësaj pjese të qendrës së Prishtinës kanë hyrë në fazën përfundimtare.

Ajo që pritet t’i japë madhështinë sheshit është shtatorja e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova e cila do të vendoset mbi bazamentin përballë objektit të Parlamentit dhe Presidencës.

Për këtë është shpallur një konkurs mbarëkombëtar. Komuna e Prishtinës fton të gjithë artistët nga Kosova, Shqiperia e më gjërë të aplikojnë për skulpturën e presidentit Rugova e cila do të vendoset në sheshin e Pavarësisë.

“Dosja me kushtet e Konkursit mund të tërhiqet në Zyrën e Prokurimit të Komunës së Prishtinës deri me 21 dhjetor 2012 ose të shkarkohet nga faqja e internetit te Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosoves”, deklaron zëdhënësi i Komunës së Prishtinës.

Konkursi do të jetë i hapur deri më datë 26 dhjetor. Ajo cfarë dëshiron komuna e Prishtinës në projektin e vet për këtë shesh është një skulpturë e cila pezanton, emocionalisht fizionominë, karakterin dhe thellësine e mendimit dhe veprës së Ibrahim Rugovës.

Po kështu një shtatore në të cilën vihen në dukje elementet që shprehin vullnetin e Presidentit drejt rrugës së Pavarësisë. Sipas zyrtarëve, skulptura duhet të jetë 3 – 4 m e lartë dhe bazamenti 60 cm . Kushtet që një artist duhet të plotësojë për ta fituar tenderin , janë që punimi nuk duhet të jetë pjesëmarrës me ndonjë konkurs tjetër apo te jetë ekspozuar në veprimtari të tjera të mëparshme të këtij lloji. Shtatorja e Ibrahim Rugovës duhet te jetë e punuar enkas për këtë konkurs.(LajmeShqip.com)