|
|
e Martë, 19 Qershor 2012 19:15 Prishtinë -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bullgari, është pritur nga homologu i tij, kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov.
Në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Bullgarisë, bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit, njoftoi sot pasdite zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës.
Nga ana e tij, kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov, theksoi se Bullgaria ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe për këtë njohje ka pasur konsensus të lartë të të gjithë spektrit politik dhe institucional.
Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, theksoi se Bullgaria mbështet perspektivën europiane të Kosovës dhe shtoi se në rrugën e Kosovës për në BE, Bullgaria është e gatshme që ta mbështesë Kosovën me përvojat e saj në këtë proces.
Kryeministri Borissov theksoi se qeveria e Bullgarisë është e përkushtuar për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, duke inkurajuar forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në këtë aspekt, Borissov mbështeti përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun për çështjet teknike me Serbinë.
Kryeministri Thaçi vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm mes Kosovës dhe Bullgarisë dhe falënderoi kryeministrin bullgar për njohjen që Sofja zyrtare i ka bërë shtetit të Kosovës. Kryeministri Thaçi prezantoi arritjet e institucioneve të Republikës së Kosovës në këto 4 vite të shtetësisë, duke theksuar se “në kuadër të axhendës evropiane, vizioni dhe puna e qeverisë së Republikës së Kosovës është e fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, në respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe në thellimin e bashkëpunimit rajonal”.
Kryeministri Borisov premtoi se do të inkurajojë bizneset bullgare që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë dhe gjithashtu premtoi se do të hapë dyert për bizneset e Kosovës në Bullgari. Gjatë ditës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një takim edhe me nënkryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Ekaterina Ivanova Michaylova, me të cilën diskutoi për raportet mes dy vendeve, për bashkëpunimin mes Parlamentit të Kosovës dhe Parlamentit të Bullgarisë. (LajmeShqip.com)