|
|
e Martë, 24 Korrik 2012 15:30 Tiranë - Sot, një president ikën dhe një tjetër vjen. Në listën e të ftuarve janë 500 veta dhe dy institucionet respektive parlamenti dhe presidenca sot kanë një dekor feste. Bamir Topi dorëzon presidencën 5 vjeçare tek pasardhësi i tij Bujar Nishani.
Në orën 18:30, në sallën e seancave plenare do të zhvillohet ceremonia e betimit të Presidentit të zgjedhur të Republikës. Pas betimit dhe këndimit të Himnit Kombëtar, Presidenti i Republikës do të mbaj para Kuvendit një fjalë përshëndetëse. Në këtë seancë plenare është i ftuar Trupi Diplomatik si dhe personalitete të jetës politike, shoqërore dhe fetare të vendit. Në sallën e zbukuruar do të ketë ushtarë roje nderi, si dhe solist dhe kori i Operas për të kënduar Himnin Kombëtar. Në monitor do të shfaqet Flamuri kombëtar dhe logoja e “100 Vjet Pavarësi”.
Më pas gjithçka do të zhvendoset në presidencë ku një orë më pas, pikërisht në 19:30 të ftuarit mbërrijnë në selinë presidenciale të cilët i pret Bamir Topi për momentin e dorëzimit të detyrës. Mësohet se ka një ndryshim të disa riteve të ceremonisë tradicionale siç është parakalimi i Presidentit para Gardës së Nderit të Republikës apo gjuajtja me top në momentin e dorëzimit të mandatit. Gjithçka nis me dorëzimin e Kushtetutës tek pasardhësi dhe më pas një takim kokë më kokë në zyrën presidenciale mes Bamir Topit dhe Bujar Nishanit.
Mësohet se presidenti në largim Bamir Topi do t’i dorëzojë z. Nishani dosjet e mbetura pezull për t’i përmbyllur gjatë presidencës së re 5-vjeçare. Më pas kreu i ri i shtetit do të përshëndesë të ftuarit e shumtë të vendosur në të dy krahët e presidencës, njërën anë trupi diplomatik dhe tjetri përfaqësuesit politik në vend. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputetët e PS do të jenë të pranishëm në ceremoninë e Presidencës. Lajmi konfirmohet nga selia rozë.
Në ceremoninë e mbrëmjes së sotme janë të ftuar dhe ish presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu ndërkohë që sot pothuajse e gjithë PD-ja do të jetë e pranishme në ceremoninë që do të zhvillohet në Presidencë. Axhenda e ceremonisë se dorëzimit tashmë ka marrë dorën e fundit bashkë me përgatitjet për këtë event që ndryshe nga 2007, këtë radhë do të bëhet në oborrin e presidencës dhe jo të Pallatit të Brigadave. Ceremonia do të përmbyllet me një kokteil që do të zhvendoset në ambientet e brendshme të presidencës.
Zoti Nishani u zgjodh nga Kuvendi më 11 qershor, në postin e Presidentit të Republikës, pasi pro kandidaturës së tij votuan 73 deputetë, nga 76 që morën pjesë në votim, ndërkohë që një deputet votoi kundër, ndërsa dy fletë ishin të pavlefshme. Ndërkohë që deputetët e Partisë Socialiste të opozitës, të pranishëm në sallën e parlamentit, nuk morën pjesë në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të shtetit.
PROGRAMI I CEREMONISË
18.30 Ceremonia e betimit të Bujar Nishani, Presidentit të Zgjedhur të Republikës.
19.00-19.25 Mbërritja e të ftuarve dhe sistemimi i tyre në tribunat përkatëse. Tribuna A rezervohet për titullarët e përfaqësive diplomatike, ndërsa Tribuna B dhe ajo qendrore C për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë e ftuar. Protokolli i Shtetit bën pritjen e të ftuarve në hyrje te Presidencës të cilët ecin në këmbë dhe vendosen ne secilën nga tribunat A, B si dhe tribuna qëndrore C, sipas skemës përkatëse.
19.15 Mbërritja e Presidentit të Republikës Bujar Nishani në Presidencë. (Hyrja do të bëhet nga krahu i zyrave të Presidencës)
Takimi i Presidentit te Republikës, Bujar Nishani me ish Presidentin e Republikës, Bamir Topi.
19.29 Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dalin nga zyra dhe drejtohen drejt hyrjes kryesore të Presidencës.
19.30 Të dy Presidentët zënë vend në krye të shkallëve të Presidencës shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit sipas skemës përkatëse.
19.35 Ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, Flamuri Kombëtar qëndron i ngritur.
19.38 Truproja e Nderit parakalon para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
19.40 Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, lëviz drejt Presidentit të Republikës Bujar Nishani, për t’i dorezuar në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.Kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë: I nderuar Z.President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Z.Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën, Presidentit të Republikës Bujar Nishani.
19.44 Fjala e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. (e përkthyer në anglisht është shpërndarë për Trupin Diplomatik).
19.55 Largimi i ish-Presidentit të Republikës, Bamir Topi nga Presidenca. Bamir Topi dhe Bujar Nishani pershendeten me shtrengrim duarsh. Sh.T.Z.Bamir Topi përcillet deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit.
Makina e ish-Presidentit shoqërohet nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndet me dorë të gjithë të ftuarit e Tribunës A, kryesisht të Trupit Diplomatik.
20.00 Presidenti i Republikës Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zënë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali. Mundësi për foto.
Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizin drejt sallës ku do të bëhet pritja me rastin e marrjes së detyrës. (Të ftuarit priten në hyrjen e Sallës “Skënderbeu” të Presidencës nga Protokolli i Shtetit, ku përshëndeten dhe urojnë Presidentin e Republikës). (LajmeShqip.com)