Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 15:57

Tiranë – “çdo ide apo teori tjetër, që e sheh të ardhmen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme”, tha Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në fjalën e mbajtur të enjten në punimet e Samitit të Kryetarëve të Shteteve të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), që po zhvillohet në Budvë (Mal i Zi).

Ai shprehu nevojën për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të këtij rajoni.

Kreu i Shtetit e vlerësoi Samitin një mesazh pozitiv që u përcillet qytetarëve të shteteve pjesëmarrëse në të, pasi konfirmohet miqësia dhe niveli i lartë i bashkëpunimit mes tyre.

Pasi bëri një përshkrim të zhvillimeve të fundit progresive edhe në kuadër të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, SEECP, Presidenti Topi vuri në dukje dhe ecurinë pozitive të disa prej reformave kryesore integruese në Shqipëri.

Ne, u shpreh ai, “ndeshemi me vështirësi që lidhen me aftësinë e aktorëve politikë për një sjellje më bashkëpunuese dhe evropiane në çështje të debatit dhe interesit politik të ditës, por gjithsesi kemi një rritje të ndërgjegjësimit publik mbi atë se cilat duhet të jenë prioritetet dhe axhenda politike evropiane e vendit dhe se cila është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë në çështje të tilla”.

Presidenti Topi nënvizoi se “Shqipëria beson tek integrimi i përbashkët evropian, ndaj edhe po jep e do të japë edhe në të ardhmen kontributin e saj aktiv në funksion të këtij synimi”.

Në vijim të fjalës së tij, ai u ndal në tri çështje të rëndësishme që lidhen me tërësinë e situatës së sigurisë, stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Presidenti vuri në dukje qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke nënvizuar se “Shqipëria e inkurajon këtë dialog dhe shpreson shumë që përmes tij të pranohen realitetet e reja politike e shtetërore në rajon, për të ndërtuar urat e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve fqinje që aspirojnë, ashtu si edhe ne, integrimin euro-atlantik.

“Shqipëria vlerëson se çdo ide apo teori tjetër, që e sheh të ardhmen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme dhe çfarë është më e rëndësishme, mbetet burim destabilizimi për vetë rajonin”, u shpreh Topi.

Presidenti i Republikës vuri në dukje faktin se Shqipëria mbështet jo vetëm hyrjen e Maqedonisë në NATO, por edhe të fqinjit tonë, Malit të Zi dhe beson se integrimi i plotë euro-atlantik është në dobi të vetë paqes e stabilitetit demokratik rajonal.