Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 15:47

Prishtinë – Plani që e ka bërë Qeveria e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së arritur me Serbinë, nesër do t’i paraqitet në Bruksel baroneshës Catherinë Ashton, dhe ai përbëhet nga akte ligjore, afate kohore dhe akterët e implementimit. Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar angazhim shtesë nga kabineti qeveritar për zbatimin e planit, që shihet sfidë e madhe dhe se fati i marrëveshjes varet nga kjo.

“Ky plan nuk është i drejtuar kundër askujt, nuk duhet të frikësohet askush, as qytetarët e veriut, sepse ky është plan i jetës së përbashkët për të ardhmen, plan i jetës së re”, ka thënë kryeministri në mbledhjen e Qeverisë. Ai ka shtuar se ashtu siç parashihet me marrëveshje, ky plan do të jetë gati deri më 26 prill, pastaj do të nënshkruhet nga dy kryeministrat, e në fund do të sillet në Kuvend për ratifikim. Ai ka folur edhe për protestën e Vetëvendosjes, duke thënë se i kupton zërat ndryshe, por duhet të respektohet rendi demokratik dhe shumica. Siç e citon KTV, ai tha se duhet të vihen interesat shtetërore mbi ato partiake.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se ky plan parasheh veprime konkrete brenda 90 ditëve, ndërsa rezultate të prekshme para fundit të qershorit. Duke folur për “Kohën Ditore”, ai ka deklaruar se brenda muajit qershor parashihet shpërbërja e të gjitha strukturave ilegale serbe të sigurisë, të cilat kanë vepruar prej vitesh në komunat me shumicë serbe, e veçanërisht në veri. Kuçi ka theksuar se pjesëtarët e këtyre mekanizmave, nuk do ta kenë me tapi vendin në strukturat shtetërore të Kosovës.

Ndërkohë, ekipi i Serbisë për hartimin planit për implementim të marrëveshjes ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë presion. Para mbajtjes së mbledhjes së parë të këtij ekipi me kreun shtetëror, është arritur pajtimi i plotë se Serbia nuk do të pranojë më asnjë kusht ose presion për zbatimin e marrëveshjes. Qeveria e Serbisë dje kishte marrë vendimin për formimin e ekipit për hartimin e Planit për implementim të  Marrëveshjes së Parë për parimet e normalizimit të marrëdhënieve Beograd – Prishtinë.(LajmeShqip.com)