Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 13:13

Tiranë – Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, pjesëtare e delegacionit shqiptar që merr pjesë sot në raundin e parë të takimeve me eurodeputetët e PE-së, është shprehur në një prononcim për mediat para fillimit të takimit në Parlamentin Europian, se “priten diskutime mbi prioritetet dhe zbatimin e ecurisë së 12 pikave të planit të veprimit, të cilat i janë paraqitur Shqipërisë në nëntor dhe për të cilat kemi përgatitur një dokument serioz, jo vetëm me kontributin e institucioneve qeveritare shqiptare dhe të agjencive, që janë pjesë e pushtetit qëndror, por edhe me kontributin e shoqërisë civile dhe të komisionit parlamentar të integrimit. Pra një dokument, i cili ka përfshirë sugjerimet dhe komentet e të gjitha palëve”.

Sipas saj, pritet që në këto takime të bëhet vlerësimi një nga një i këtyre prioriteteve. Sipas Bregut, një nga këto pika, dhe më e rëndësishmja, është procesi i votimit dhe mirëfunksionimi i Parlamentit Shqiptar.

“Të gjitha prioritetet do të vlerësohen një nga një. E rëndësishme është që ky dokumet t’i çojë deri në fund edhe premtimet dhe sugjerimet e përfaqësueseve të opozitës në komisionin parlamentar të integrimit, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të mos bllokuar, por për të çuar përpara zbatimin e këtyre rekomandimeve, ku më i rëndësishëm është funksionimi i mirë i parlamentit dhe sigurisht votimi i ligjeve, të cilat kërkojnë edhe votën e opozitës”, u shpreh Bregu.

Ajo tha se delegacioni shqiptar ka ardhur të diskutojë mbi alternativat dhe pikat e agjendës të PE-së. “Për ne si maxhorancë rëndësi ka që vendi të ecë përpara dhe të plotësojë sa më mirë kriteret për integrimin evropian. Janë takime ku do të diskutohet për situatën e përgjithshme të reformave dhe po ashtu do të diskutohet edhe periudha post zgjedhore”.

Bregu theksoi se do të jetë pjesë e diskutimeve edhe mospjesëmarrja e opozitës në proceset e Parlamentit shqiptar dhe mospjesëmarrja e tyre në votime për ligje të rëndësishme. “Mendoj se nga ana e PE-së nuk mirëpritet politika e bojkotit të opozitës shqiptare. Një nga pikat kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria është votimi në parlament, që kërkon votim me votë të cilësuar. Opozita nuk ka qenë e pranishme dhe nuk ka votuar ligje dhe kjo bën që kjo pikë të mos jetë e plotësuar në plan progres”, tha Bregu.