Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:37

Tiranë – Një nga çështjet më të nxehta të këtyre ditëve të nxehta të verës është edhe droga e Lazaratit.
Policia bën sikur bllokon ujin që shkon në Lazarat, por duket se nuk ka ndërmend që të ndërmarrë një aksion direkt në fshatin problematik, që sipas italianëve prodhon deri në 4.5 miliard euro hashash.
Deputeti socialist, Erion Braçe, thotë se janë 7- 8 bosë të drogës në Lazarat, që e dirigjojnë gjithçka nga larg, transmeton Tema.
“Kjo që policia po bën rreth e qark Lazaratit nuk ka as kuptim e as duk. E di gjithë jugu se në Lazarat ka 7- 8 bosë të drogës. Ata dirigjojnë çdo gjë, madje në më të shumtën e kohës jashtë e larg Lazaratit. Ata janë problemi, ata drejtojnë organizatat,” shkruan Braçe në FB.
Lazarati do jetë një sfidë për qeverinë e re socialiste, që është angazhuar për të sjellë rend dhe siguri në 300 ditët e para.